Mustafa: Bastisjet e arrestimet e fundit tregojnë fytyrën e vërtetë të kësaj Qeverie
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë se bastisjet dhe arrestimet e fundit, tregojnë për korrupsionin e thellë në Qeverinë Kurti. Ai në një prononcim për Ekonomia Online, shtoi se Qeveria dhe udhëheqësit e saj bartin përgjegjësinë e plotë të korrupsionit që po ndodh nën mbikëqyrjen e tyre.
Sipas tij, është koha që Kosova të ketë lidership që punon seriozisht për zhdukjen e korrupsionit dhe për të mirën e qytetarëve.
“Të gjitha këto bastisje dhe arrestime, përfshirë edhe ato të djeshme tregojnë për korrupsionin e thellë në këtë Qeveri. Natyrisht kjo nuk ka të bëjë vetëm me një ministri sikur ajo e djeshmja apo vetëm me disa individë por ka të bëjë me shtrirjen e gjerë të korruspionit në këtë Qeveri. Kjo Qeveri dhe udhëheqësit e saj bartin përgjegjësinë e plotë të korrupsionit që po ndodh nën mbikëqyrjen e tyre”.
“Jemi vazhdimisht duke i shpërfaqur të gjitha aferat korruptive në këtë qeveri, natyrisht në bashkëpunim me mediat dhe organet e rendit dhe ligjit por mbi të gjitha me qytetarët e vendit me të cilët jemi në kontakt të vazhdueshëm për t’ua bërë të qartë për korrupsionin e thellë dhe të gjerë në këtë Qeveri”, ka thënë Mustafa.