Mustafa: Beteja e Koshares shënon fitoren më të madhe të UÇK-së mbi forcat e armikut
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka përkujtuar 19-vjetorin e betejës së Koshares dhe 10-vjetorin e miratimit të Kushtetutës.
Me këtë rast, ai ka thënë se beteja triumfale e Koshares shënon fitoren më të madhe në betejë të hapur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbi forcat e armikut.
Mustafa ka theksuar se 9 vjet më vonë, pikërisht më 9 prill 2008, u miratua edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që sublimon vlerat më të larta demokratike, për të cilat luftuan dhe dhanë jetën burra të mëdhenj të kombit.
“Beteja triumfale e Koshares, e zhvilluar 19 vjet më parë, shënon fitoren më të madhe në betejë të hapur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbi forcat e armikut. Uniteti dhe profesionalizmi i ushtarakëve tanë, e bëri të pashmangshme disfatën e ushtrisë dhe paramilitarëve të Serbisë. 9 vjet më vonë, pikërisht më 9 prill 2008, u miratua edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që sublimon vlerat më të larta demokratike, për të cilat luftuan dhe dhanë jetën burra të mëdhenj të kombit, si Agim Ramadani, Sali Çekaj, Abaz Thaçi, Xhemajl Fetahu, e shumë pjesëmarrës të tjerë të Betejës heroike të Koshares. Zoti e Bekoftë Republikën e Kosovës dhe heronjtë e saj!”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/