Mustafa: Brenda shkurtit në Kosovë ka pasur 12-13 tërmete
Studimi më i ri e vendos Kosovën në një zonë me aktivitet sizmik relativisht të lartë, kështu tha në sizmologu Shemsi Mustafa, duke shtuar se rreziku i goditjes nga një tërmet nuk është i lartë në krahasim me vendet e rajonit.
Zonat me aktivitet sizmik më të lartë janë: Pejë-Istog, Prizren-Gjakovë, Ferizaj-Viti-Gjilan.
“Faktikisht nuk e kemi nivelin e lartë të rrezikut sizmik siç e kanë vendet e tjera të rajonit, por jemi afër në bazë të hartës së rrezikut sizmik të Kosovës, në bazë të hartës së rrezikut të Ballkanit, dhe të Evropës që është projekti dhe studimi më i ri i cili e vendos Kosovën që është në një zonë me aktivitet sizmik relativisht të lartë, me zona siç janë: Pejë-Istog, Prizren-Gjakovë, Ferizaj-Viti-Gjilan dhe dy zonat që janë pak më të lehtë zona e Drenicës dhe ajo Prishtinë-Mitrovicë”, tha Krasniqi.
“Bazuar në të dhënat dhe madhësinë e këtij tërmeti, faktikisht nuk ka pasur fare vend për shqetësim dhe panik sepse këso tërmetesh tash për këtë muajin shkurt kemi pasur 12-13 tërmete me magnitudë 2.0 deri në 3.7 dhe ky që ndodhi tash në Gjilan pra nuk ka vend për shqetësim apo panik tek qytetarët. Paniku dhe shqetësimi tek qytetarët është krijuar duke u bazuar që në këto dy vitet që i lamë pas pat disa tërmete në vendet e rajonit dhe faktikisht pati disa ngjarje shumë të rënda ku ishin tërmete të fuqishme, me pasoja në njerëz dhe kjo ngjarje ka ngelur në memorien e qytetarëve të Kosovës”, theksoi ai.
Mustafa thekson, që kujdesi më i madh duhet të jetë nga projektuesit, dhe ndërtuesit që të implementohen si duhet projektimet në terren.
“Faktikisht ne jemi në një zonë me aktivitet sizmik relativisht të lartë, jo si vendet e rajonit, por ne duhet të kemi kujdes sidomos projektuesit, ndërtuesit dhe të gjithë ata që implementojnë punët e projektimeve në terren. Shqetësimi i qytetarëve është shumë me vend sepse duke ditur dhe parë ngjarjet që ndodhën për këto dy vitet që i lëmë pas, dhe sipas informacioneve që kemi dhënë qytetari tash ka frikë se sa është i përballueshëm ajo ndërtesë ndaj një tërmeti sizmik”.
Tutje ai tha që prej gjitha fatkeqësive natyrore tërmeti është më i frikshmi dhe që nuk të jep kohë.
Si përfundim ai tha që kujdesi nga qytetarët dhe ajo se çfarë duhet të bëjnë gjatë përballjes me një tërmet të mundshëm, duhet të kenë në konsideratë organizimin dhe daljen sa më të shpejtë në momentin që vërejnë që rreziku për momentin ka kaluar.
“Momentin që ndodh tërmeti, në mënyrë të organizuar nëse është objekt kolektiv, duhet të dalin jashtë dhe deri sa të ndalet nuk bën të lëvizin por të qëndrojnë në një hapësirë apo objekt më të sigurt dhe pastaj të dilet”./ EO.