
Mustafa demanton Rizvanollin: Gjatë kësaj qeverie kemi importin më të madhe të energjisë elektrike
Besian Mustafa, deputeti i zgjedhur i LDK-së, ka reaguar ashpër ndaj ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, përmes një postimi në “Facebook”, duke e akuzuar për manipulim të të dhënave lidhur me importin e energjisë elektrike.
Mustafa, duke iu referuar një grafiku të publikuar nga ministrja në detyrë, përmes së cilit ajo synon të dëshmojë se importi i rrymës nuk është rritur gjatë mandatit të kësaj qeverie. Por sipas deputetit të LDK-së, të dhënat e vetë grafikut e kundërshtojnë këtë pretendim.
“Sipas grafit të vet ministres në këto 9 vite:
– importi më i madh në sasi ka qenë në vitin 2021, viti i parë i kësaj qeverie, plot 1.52 TWh,
– importi i dytë më i madh 1.41 TWh ka qenë në 2023, prap gjatë kësaj qeverie,
– importi i tretë më i madh 1.37 TWh ka qenë në 2024, prap gjatë kësaj qeverie.
Pra, në 3 nga 4 vitet e kësaj qeverie kemi importin MË TË MADH të rrymës gjatë kësaj periudhe, e ministrja thotë se importi nuk është rritë. Qysh?!”, ka shkruar Mustafa.
Ai ka vazhduar duke akuzuar ministren Rizvanolli për shmangie të përgjegjësisë dhe për përpjekje për të fajësuar të tjerët.
“Edhe për dështimet e kësaj qeverie ministrja tenton me fajësu’ gjithkend, brenda e jashtë Kosovës, veq veten jo. A ka harru që Nagipi i partisë së saj është arrestu për dallevere me tendera dhjetëra miliona euro a?! Me këtë logjikë po doni me arsyetu’ rritjen e çmimeve të rrymës a? Me këtë import të lartë e me çmime edhe më të larta, kush përfiton? Qytetarët dhe fabrikat jo. Përfitojnë veq tregtarët e rrymës si Martini e GEN-i”, ka shkruar Mustafa.