Mustafa dhe Osmani takojnë Palmerin, flasin për dialogun me Serbinë
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, së bashku me nënkryetaren, Vjosa Osmani, sot kanë takuar zëvendësndihmëssekretarin e Shtetit, Matthew Palmer në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.
Sipas njoftimit për medie të LDK-së, gjatë këtij takimi shumë produktiv janë diskutuar prioritet për institucionet e ardhshme që lidhen me agjendën e brendshme si dhe politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, siç janë sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik dhe dialogu Kosovë-Serbi.
“Kryetari Mustafa e ka falënderuar zv. Ndihmës Sekretarin Palmer për angazhimin shumë aktiv dhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara si dhe për angazhimin e tij personal për ta përkrahur Kosovën në të gjitha prioritetet dhe sfidat që na presin. Përfaqësuesi Special Matthew Palmer foli për atë se si Kosova mund të shtrojë rrugën drejt paqes përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë”, është thënë në komunikatën për medie të LDK-së.
/Epoka e re/