Mustafa: Diplomacisë ekonomike nuk i është dhënë pozita meritore

10 prill 2018 | 15:48

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Besian Mustafa, ka raportuar të martën para anëtarëve të  Komisionit për Punët të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, lidhur me  sektorin e investimeve strategjike, si dhe për sfidat të cilat paraqiten gjatë zbatimit të Ligjit për Investime Strategjike.

Mustafa duke folur për të arriturat e kësaj agjencie  siç janë përkrahja e turizmit, projekte të ndryshme për ndërmarrje të ndryshme, organizime të panaireve të ndryshme,  ka thënë se përmes Ligjit për Investime Strategjike janë eliminuar disa pengesa burokratike për investitorët strategjikë.

Kryetarja e Komisionit për Punët të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, Vjosa Osmani ka pyetur Mustafën se ku ka ngecur diplomacia ekonomike e Kosovës, si dhe për Brezovicën se a është kualifikuar si investim strategjik.

Për diplomacinë ekonomike Mustafa, ka thënë se pozita e Kosovës nuk është e shkëlqyer dhe nuk i është dhënë pozitë meritore këtij aspekti, por sipas tij duhet që në të gjitha ambasadat e Kosovës të ketë zyrtarë të veçantë për çështje ekonomike.

Kurse, për Brezovicën ai ka thënë se në kuadër të ligjit për investime strategjike kjo qendër rekreative nuk është kualifikuar si projekt strategjik.

Sipas tij KIESA është duke u munduar që ta riaktivizojë projektin e Brezovicës me qëllim të promovimit tek investitorët strategjik, por deri tani nuk kanë pasur sukses. “Në fakt, Brezovica qe përmbyllur si projekt para se të hynte në fuqi ligji për investime strategjike, pra nëse pyetja është a është projekti i Brezovicës i klasifikuar si projekt strategjik, përgjigja është jo, sipas Ligjit për investime strategjike nuk është i klasifikuar si projekt strategjik. Natyra e tij e bënë projekt mjaft strategjik, por nuk ka aplikuar dhe nuk është i klasifikuar si investitor dhe projekt strategjik. Ne po mundohemi që ta riaktivizojmë ose ta riaktualizojmë këtë projekt duke u munduar që ta promovojmë tek investitorët e ndryshëm strategjik, deri më tani nuk kemi pasur sukses të tërheqim ndonjë investitor në këtë drejtim”, ka thënë Mustafa.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një histori rrëqethëse që për pak sa nuk i mori…