Mustafa: E dinim se bombardimet e NATO-s do ta kapitullonin Serbinë
Në 25 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila i dha fund luftës në Kosovë, ish- komandantin e UÇK-së për Zonën e Llapit, Rrustem Mustafa- Remi i ftuar në “Info Plus” të RTK-së, tha se pas nisjes së bombardimeve nga ana e NATO-s shihej fundi i kësaj lufte.
Ndonëse, ai tha se kur ka filluar lufta ishin të përgatitur që të zgjaste shumë më shumë.
“Ne që ishim të veshur me uniforma të UÇK-së e kishim planifikuar që lufta të zgjaste shumë më shumë. Por me fillimin e bombardimeve nga ana e NATO-s shihej një dritë në fund të tunelit dhe ajo dritë ishte shumë e qartë dhe dihej mirëfilli se vendi do të çlirohej shumë shpejtë. Gjatë gjithë kësaj kohë kemi qenë në forma të tjera në lidhje me diplomacinë shqiptare dhe me ndërkombëtaret dhe kjo nuk na ka zënë të pa përgatitur”, tha Mustafa në RTK.
Sido që të jetë, ai tha se përfundimi i Luftës së Kosovës me kaq shpejtësi ishte një lajm shumë i rëndësishëm për të gjithë ata që ishim të veshur nën emblemën e UÇK-së, por edhe për njerëzit që ishin të shumtë në Kosovë dhe për gjithë kombin në përgjithësi.
Ndonëse tre ditë para 10 qershorit të 1999 pati dështuar një marrëveshje në Kumanovë për përfundimin e luftës, Mustafa tha se nuk ishin të zhgënjyer për faktin se kishin informacione të sakta se këtë ditë apo atë ditë do të kapitullonte Serbia.
“Pra ne ishim të sigurt se do të bëhej kjo punë porse ishte vetëm çështje momenti se kur do të dorëzohej Serbia”, tha Mustafa.
Ndryshe nënshkrimi i Marrëveshjes së Kumanovës, i dha fund luftës në Kosovë. Pikërisht sot 25 vjet më parë pra me 10 qershor të vitit 1999, pushuan bombardimet e NATO-s, pas kësaj ditë ushtarët e UÇK-së dhe të NATO-s hynë në Prishtinë. Kjo marrëveshje u arrit pas 78 ditë të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe.