Mustafa e kritikon ministren Haradinaj-Stublla
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla nuk është koordinuar me kryeministrin Avdullah Hoti për emërimin e konsujve të përgjithshëm.
Mustafa ka thënë se ka marrë vesh edhe për emërimin e ish-këshilltarit të Kadri Veselit si konsull në Frankfurt të Gjermanisë, që gjithashtu thotë se është bërë pa aprovimin e Hotit.
“Thuhet se nuk është rast i vetëm. Nga një diplomat u informova se edhe në konsullatën e Frankfurtit është vepruar njëjtë, qe flet për mungesë koordinimi të MPJ-së me Qeverinë në marrje të vendimeve. Kjo praktike duhet të eliminohet dhe të korrigjohet. Nuk duhet të mungoj ëas dhënia e përgjegjësisë”, ka thënë Mustafa për “Objektivin”.
Para se të japë dorëheqje, ish-presidenti Hashim Thaçi e kishte dekretuar Gazmend Krasniqin, konsull të përgjithshëm në Frankfurt. Krasniqi ka punuar si shef i protokollit në kabinetin e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli (PDK), partia e të cilit tani është në opozitë.
Zyra e Presidencës në një njoftim për medie kishte paralajmëruar shqyrtim të dokumentacionit për të shikuar nëse janë përfillur procedurat ligjore, porse ende nuk ka një vendim për këtë rast.