Mustafa e Kurti: Kosova ka nevojë për qeverisje të re
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka pritur të martën në shtëpinë e tij kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me të cilin kanë biseduar për mundësinë e bashkëpunimit në mes të këtyre dy partive opozitare.
Mustafa nëpërmjet llogarisë se vet në “Facebook”, ka shkuar se me Kurtin kanë vlerësuar se Kosova ka nevojë për ndryshime.
“U takuam me z. Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe biseduam për shumë tema që e rëndojnë aktualitetin në Kosovë. Shprehëm gatishmërinë të intensifikojmë bashkëpunimin opozitar në mënyrë që degradimi i qeverisjes dhe rrezikimi i territorit të ndalet sa më shpejtë. Vlerësuam bashkërisht se Kosova, si kurrë më parë, ka nevojë për ndryshime”, ka shkuar Mustafa.
Gjithashtu edhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nëpërmjet llogarisë së vet në “Facebook”, ka shkruar se Kosova ka nevojë urgjente për qeverisje të re.
“Të gatshëm të koordinojmë bashkëpunimin opozitar në mënyrë që degradimi i qeverisjes dhe rrezikimi i territorit të ndalen sa më shpejtë. Kosova si kurrë më parë ka nevojë urgjente për qeverisje të re dhe cilësore”, ka shkruar Kurti.
/Epoka e re/