Mustafa: E papranueshme se si Vuçiqi flet për resurset e tokat e Kosovës sikur të ishin të tij
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka reaguar rreth vizitës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Kosovë.
Ai përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook” ka thënë se është e papranueshme që një president i një shteti fqinj të flasë për resurset natyrore të Kosovës si të ishin të tijat.
Postimi i plotë i tij:
Edhe përkundër deklaratave rrahagjokse të bartësve të institucioneve të Kosovës, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq po e viziton veriun e Kosovës sipas agjendës së tij.
Problemi nuk qëndron në faktin se një President i një vendi fqinj po e viziton vendin tonë, sepse në një logjikë normale ajo të ishte e natyrshme, ashtu siç do të ishte e natyrshme që Presidenti ynë të vizitojë Serbinë.
Por është e papranueshme që një president i një vendi fqinj të flet për resurset tona natyrore si të ishin të tijat dhe për tokën tonë si tokë të tij. Sa është e papranueshme që Presidenti ynë në mënyrë jokushtetuese, i kurthuar në grackat serbe dhe të atyre që ishin kundër pavarësisë së Kosovës, të shpreh pretendime territoriale ndaj një vendi fqinj, sepse këtu gjen hapësirë sjellja e papranueshme dhe hegjemoniste e Vuçiqit.
Kosova ka territorin e saj, mbi të cilin e ka shpallur pavarësinë dhe ky territor nuk është i negocueshëm me askënd për aq sa nuk është e negocueshme pavarësia e Kosovës.