Mustafa e Qalaj flasin për objektivat strategjike të sigurisë
Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Ekrem Mustafa, ka vizituar Policinë e Kosovës, ku është pritur në takim nga drejtori i përgjithshëm i këtij institucioni, Rashit Qalaj.
Në takimin e udhëhequr Qalaj është diskutuar për temat që kanë të bëjnë me realizimin e objektivave strategjike që ndërlidhen me sigurinë e përgjithshme, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Po ashtu gjatë këtij takimi është diskutuar edhe për çështje të tjera me prioritet, si: Ligji për pensionimin e parakohshëm të zyrtarëve të PK-së, Ligji për pagat, mungesën e sigurimeve shëndetësore për PK-në, si dhe çështje tjera me interes të përbashkët ndërinstitucional.
Ministri i MPB-së, Ekrem Mustafa, është informuar nga drejtorët e departamenteve policore mbi angazhimet, punën dhe aktivitetet policore që janë duke kryer këto departamente.
Takimi në fjalë ka rezultuar me zotimin e përbashkët për bashkëpunim dhe përkrahje të ndërsjellë, si dhe për angazhime shtesë nga të gjithë të pranishmit, me qëllim të përmbushjes së detyrave dhe obligimeve policore, të cilat janë në interes të qytetarëve dhe vendit.
/Epoka e re/