Mustafa është njeriu më i aftë për ta udhëhequr vendin
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në emisionin Pressing në T7 ka thënë se LDK-ja ende nuk ka një kandidat për kryeministër, por nëse do të ishte një kandidat konsensual, ai do të ishte kryetari Isa Mustafa. “LDK-ja është çelësi i suksesit dhe mirëqenies dhe çelësi i zgjidhjes së problemeve në Kosovë. Ne mundohemi me qenë suksesi dhe zgjidhja e problemeve në Kosovë. Ju siguroj se LDK-ja ka me qenë konstruktive, racionale dhe solidare qe me dhënë një zgjidhje kushtetuese. Fryma kushtetuese është e vetmja rrugë për zgjidhje. Nuk kemi partnerë të paracaktuar dhe as të paragjykuar. Mustafa, si lider i demokratëve, ka mandatin e LDK-së që të negociojë një shumicë parlamentare. Flitet se shumica e re do të jetë LDK, AAK, Nisma dhe AKR dhe minoritet, por ky nuk është fundi i listës. Isa Mustafa ka mandatin të ndërtojë shumicën parlamentare në mënyrë që t’i lejojë vendit zgjidhje”, ka thënë ai.
“Emri për kryeministër do të diskutohet në struktura. Emri i pakontestueshëm është Isa Mustafa, por ai do të vendosë. Ai lejoi Avdullah Hotin dhe Vjosa Osmanin që të kandidonin. Emri i tij është konsensual. Kosovës i duhet një unitet përtej koalicioneve përtej partive politike. Ai e udhëheqë partinë më të madhe në Kosovë. Nuk është pozicion i lehtë, por ne i besojmë atij. Ai i lëshoi rrugën Vjosës për shkak të gjendjes shëndetësore, por kur i lëshoi rrugën Avdullah Hotit ishte i shëndoshë si molla. Ai është njeriu më i aftë për të udhëhequr. Ne funksionojmë me meritokraci, jo sikur Albin Kurti që emëron e punëson shokët dhe familjarët e tij”, ka bërë me dije Haziri.