Mustafa falënderon deputetët, veçon ata të PDK-së

30 korrik 2020 | 23:00

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në një shkrim publikuar në “Facebook”, ka vlerësuar përkrahjen e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës për votimin e amendamenteve të propozuara në Kuvend dhe për aprovimin e ndryshimeve të buxhetit.

Mustafa ka shtuar se aprovimi i ndryshimeve të buxhetit do të hapë mundësi për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit dhe se përmes tij do të luftohet pandemia që ka shkaktuar koronavirusi.

Ndër të tjera, i pari i LDK-së ka vlerësuar përkushtimin e deputetëve të pozitës, sidomos të PDK-së, që në këto rrethana kapërcyen interesat politike-partiake dhe votuan amendamentet e propozuara për ndryshimin e buxhetit.

“Aprovimi i ndryshimeve të buxhetit, të cilat hapin mundësi për fokusim më të madh në luftë kundër Covid-19 dhe rimëkëmbje ekonomike, flet qartë për një vetëdije të deputetëve që kapërcen interesat e ngushta partiake. Vlerësoj lart përkushtimin e deputetëve të pozitës dhe përkrahjen e rëndësishme, sidomos të deputetëve të PDK-së në këto rrethana të rënda për vendin”, ka shkruar Mustafa.

Në fund, kreu i LDK-së tha se beson në implementimin e zotimeve të qeverisë së kryeministrit Avdullah Hoti. “Besoj se qeveria do të veprojë me efikasitet për implementimin e zotimeve të saj”, përfundoi Mustafa. /Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekonomia amerikane është tkurrur në normë vjetore prej 32.9 për…