Mustafa flet për takimin me kryetarët e degëve: Vendimet e shumicës duhet të respektohen brenda LDK-së
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka bërë me dije se mbrëmë kryetarët e degëve të kësaj partie i kanë dhënë përkrahje qeverisë së re të drejtuar nga kryeministri Hoti.
Mustafa përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se ishte një pajtim i përgjithshëm që tani pas zgjedhjes së ministrave të vazhdohet që të sigurohet një përfaqësim cilësor dhe sa më i drejtë nga terreni me zëvendësministra dhe me këshilltarë në dikasteret qeveritare.
“Ishte konstatim i përgjithshëm se në LDK kultivohet maksimalisht shprehja e mendimit të lirë, kultivohet beteja e individëve që qëndrimet dhe mendimet e tyre të marrin përkrahjen e shumicës, por se vendimet e shumicës duhet të respektohen si rregull elementare demokratike brenda LDK-së; se fundamenti rugovist i LDK-së, që konsiston në unitet dhe solidarizim të brendshëm, nuk mund të zëvendësohen dhe arsyetohet me protagonizëm individual, ego dhe sjellje populliste”, ka shkruar Mustafa.
Postimi i plotë i tij:
Të nderuar anëtarë, simpatizantë dhe veprimtarë të LDK-së
Në takimin e mbrëmshëm, kryetarët e degëve të LDK-së i dhanë përkrahje të parezervë Qeverisë së re të Kosovës dhe kryeministrit Hoti.
U theksua se Qeveria ka fuqi politike, dije dhe kapacitete të ballafaqohet me të gjitha sfidat aktuale; se Qeveria Hoti ka vizion për të ardhmen.
Ishte një pajtim i përgjithshëm që tani pas zgjedhjes së ministrave të vazhdohet që të sigurohet një përfaqësim cilësor dhe sa më i drejtë nga terreni me zëvendësministra dhe me këshilltarë në dikasteret qeveritare.
Në takim u theksua se natyrshëm është pritur që të gjithë deputetët e LDK-së të përkrahin qeverinë që drejtohet nga LDK-ja, duke pasur parasysh Statutin e LDK-së, përkrahjen që atyre iu është dhënë nga të gjitha degët në fushatë, mbështetjen maksimale logjistike dhe financiare nga qendra përkatësisht besimin që e kanë marrë nga votuesit si kandidatë të LDK-së.
Ishte konstatim i përgjithshëm se në LDK kultivohet maksimalisht shprehja e mendimit të lirë, kultivohet beteja e individëve që qëndrimet dhe mendimet e tyre të marrin përkrahjen e shumicës, por se vendimet e shumicës duhet të respektohen si rregull elementare demokratike brenda LDK-së; se fundamenti rugovist i LDK-së, që konsiston në unitet dhe solidarizim të brendshëm, nuk mund të zëvendësohen dhe arsyetohet me protagonizëm individual, ego dhe sjellje populliste.
(M.Q / Epoka e re)