Mustafa: Ftoj të gjitha subjektet politike të flasim me një zë
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se beteja politika e kohëve të fundit në Kosovë nuk duhet të vazhdojë më.
“Tani kur deklarata nga Shtëpia e Bardhë qartësoi gjithçka rreth të sotmes dhe të ardhmes së Kosovës, na takon ne të ulemi dhe të gjejmë rrugën e duhur për të ecur përpara. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe unë, i besojmë pa rezerva Shteteve të Bashkuara të Amerikës. I kemi besuar gjithmonë dhe gjithmonë na ka rënë mirë. I besojmë edhe tash dhe jemi të bindur se Amerika do t’i bindë edhe aleatët tjerë perëndimorë të Kosovës për të qenë bashkë edhe në procesin që na pret. Marrëveshjen finale për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, e cila vendin e bën subjekt të plotë ndërkombëtar dhe ia hapë perspektivën integruese euro-atlantike”, ka shkruar Mustafa në profilin e vet në “Facebook”.
Ai ka bërë thirrje që të ndaljet beteja politike e kohëve të fundit.
“Beteja politike e zhvilluar, sidomos kohët e fundit në Kosovë, nuk duhet të vazhdojë më. Jam i bindur se kjo betejë politike, përveç se dëmton aspiratat legjitime të Kosovës dhe qytetarëve të saj, aleatëve tanë ua vështirëson përpjekjet për të siguruar unitetin euro-atlantik për Kosovën”, ka shkruar ai.
Sipas tij Kosova duhet t’i lexojë drejt porositë e aleatëve. “T’i interpretojë drejt ato. Ndaj ftoj të gjitha subjektet politike të Kosovës të flasim me një zë. Të tejkalojmë vetveten për interes të Kosovës. Ta lëmë prapa garën meskine e të mos punojmë duke menduar vetëm ditën e votimit. Të mos kultivojmë pritje irracionale përmes popullizmit. Por, të bëhemi bashkë për ta rikthyer Kosovën në drejtimin e duhur. Kah orientimi euro-atlantik”, ka shkruar ai.
Sipas tij, Kosova duhet të flasë me një zë. “Me zërin e arsyes. Me zërin e së vërtetës. Kosova nuk ka alternativë. Kosova ka të ardhme vetëm në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian. Kosova, sot ka nevojë për një klasë të mençur e të urtë politike. Ka nevojë për liderë që kapërcejnë bindjet e tyre ideologjike dhe interesat elektorale për hir të Kosovës. Për hir të së ardhmes së saj”, ka thënë pos tjerash Mustafa.
Ai tutje ka deklaruar se aleatët kanë qëndruar gjithmonë pranë Kosovës. “Nuk kemi nevojë të shpikim asgjë. Aleatët tanë, që gjithmonë na kanë qëndruar pranë, duhet t’i dëgjojmë. Sepse secilën herë që i kemi dëgjuar, na ka rënë mirë. Edhe në vitet 90-ta që na sugjeruan të mos bëhemi tabelë qitjeje kur republikat e ish-Jugosllavisë po luftonin për interesat e veta. Edhe kur na e orientuan qëllimin dhe mënyrën e luftës çlirimtare. Edhe kur na premtuan çlirim nëse pranojmë marrëveshjen e Rambujesë. Edhe kur na garantuan shtetin po të pranonim Planin Ahtisaari. Edhe secilën ditë deri sot. Që Kosova nuk ka mbetur asnjë moment pa mbështetjen politike e ekonomike të aleatëve të saj”, u shpreh Mustafa.
Ai thotë se me aleatët mund t’ia dalë Kosova edhe ndaj pandemisë. “Ata i kemi edhe sot përkrah. Për ta mundur pandeminë që po na rrezikon shëndetin e jetën. E që do të na shkaktoj destabilitet ekonomik. Me aleatët, ne mund t’ia dalim. Pa ta, jo vetëm që është e vështirë. Por, është e pamundur. Të mos e gënjejmë, as veten, as qytetarët. Prandaj, t’i dëgjojmë ata edhe kur po na thërrasin të ulemi e të gjejmë zgjidhje kushtetuese për situatën e krijuar politike në vendin tonë”, ka shkruar ai.
Sipas tij, s’është kohë eksperimentesh. “Kosovës i duhet një qeveri me kapacitet të plotë operacional për ta përballuar pandeminë dhe krizën që do të pasojë. Pasi ta kalojmë këtë krizë, duhet t’i kthehemi qytetarëve për vlerësim përmes zgjedhjeve. Me vizion të qartë euro-atlantik dhe me oferta objektive programore”, ka thënë Mustafa.