Mustafa fton prokurorinë ta trajtojë “kërcënimin puçist” të Sveçlës

30 prill 2020 | 10:51

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka treguar sot arsyen se pse në takimin për ndarje të ministrive me Albin Kurtin, shefin e LV-së, të parin dikaster e kishte zgjedhur MPB-në. Mustafa ka shkruar në “Facebook” se kjo zgjidhje ishte si reflektim i frikës dhe dyshimit se LV-ja do ta keqpërdorë këtë ministri.

“Zgjidhja ishte reflektim i frikës dhe dyshimit se VV do ta keqpërdorë këtë ministri për burgosje të kundërshtarëve, për sajime të dosjeve, për kërcënime, se do tu hakmerret policëve dhe eprorëve të tyre që i mbronin institucionet atëherë kur VV ushtronte dhunë”, ka shkruar ai.

Mustafa thotë se ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme mbrëmë pa fije turpi dhe përgjegjësie ka kërcënuar për arrestimin e një deputeti dhe presidentin e vendit.

“Të nderuar qytetarë, këtë nuk do ta bënte për jetë të jetëve z. Agim Veliu, i cili u shkarkua arbitrarisht nga z. Kurti sikurse asnjë ministër tjetër i LDK-së. Të kërcënojë një zëvendësministër në detyrë se do ta arrestojë deputetin, që ka legjitimitet të përfaqësimit të qytetarëve, është argument se ai është vënë mbi ligjin.

Deri më sot, qytetarët i ka arrestuar policia me kërkesë të prokurorit apo në flagrance, por jo me diktate politike të ministrave dhe zëvendësministrave, sepse si të tillë, ata janë të emëruar politik.

Policia drejtohet nga drejtori i policisë, dhe vepron sipas Ligjit për Policinë, nuk drejtohet nga ministri dhe zëvendësministri, qofshin në detyrë apo jashtë detyre”, tha Mustafa, teksa ka bërë thirrje që prokuroria të trajtojë këtë sjellje të tij.

“Unë pres që prokuroria ta trajtojë një sjellje të tillë, nëse jo të arsyetojë bazën ligjore të një kërcënimi të tillë puçist ndaj një deputeti”, tha ai.

Shkrimi i Mustafës:

Të nderuar qytetarë,

Në takimin me z. Kurti për ndarjen e përgjegjësive në koalicionin qeverisës VV-LDK, ministrinë e parë e zgjodha atë të Punëve të Brendshme.

Isha pak në siklet se si ta arsyetoj që për LDK-në, prioriteti i saj si parti që është themeluar dhe drejtuar nga intelektualë dhe akademikë është kjo fushë!

Zgjidhja ishte reflektim i frikës dhe dyshimit se VV do ta keqpërdorë këtë ministri për burgosje të kundërshtarëve, për sajime të dosjeve, për kërcënime, se do tu hakmerret policëve dhe eprorëve të tyre që i mbronin institucionet atëherë kur VV ushtronte dhunë.

E përcolla, rastësisht, mbrëmë zëvendësministrin në detyrë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Në emër të kësaj ministrie, ai pa fije përgjegjësie ligjore dhe as turpi, kërcënonte me arrestim një deputet, kryetar të një partie parlamentare dhe biznesmen qe punëson dhe krijon të ardhura pë mijëra familje kosovare.

Kërcënonte edhe Presidentin e vendit.

I thërriste në mejdan.

Të nderuar qytetarë, këtë nuk do ta bënte për jetë të jetëve, z. Agim Veliu, i cili u shkarkua arbitrarisht nga z. Kurti sikurse asnjë ministër tjetër i LDK-së.

Të kërcënojë një zëvendësministër në detyrë se do të arrestojë deputetin, që ka legjimitet të përfaqësimit të qytetarëve, është argument se ai është vënë mbi ligjin.

Deri më sot, qytetarët i ka arrestuar policia me kërkesë të prokurorit apo në flagrance, por jo me diktate politike të ministrave dhe zëvendësministrave, sepse si të tillë, ata janë të emëruar politik.

Policia drejtohet nga drejtori i policisë, dhe vepron sipas Ligjit për Policinë, nuk drejtohet nga ministri dhe zëvendësministri, qofshin në detyrë apo jashtë detyre.

Unë pres që prokuroria ta trajtojë një sjellje të tillë, nëse jo të arsyetojë bazën ligjore të një kërcënimi të tillë puçist ndaj një deputeti. IM

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Laboratorët e Gjermanisë kanë rritur kapacitetin e tyre të testimit…