Mustafa: Gjykata Kushtetuese e shpëtoi Shpend Ametin
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka hedhur postë kërkesën e ish-kandidatit të LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi për përsëritjen e zgjedhjeve në kryeqytet.
Mustafa përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se Gjykata Kushtetuese shkeli të gjitha afatet ligjore për të vendosur për kërkesën e Arban Abrashit.
“Në fund vendosi në interes të pushtetit”, ka shkruar Mustafa.
Postimi i plotë i tij:
Të shtunën, Shpend Ahmeti e shpëtoi Qeverinë, të hënën Gjykata Kushtetuese e shpëtoi Shpend Ametin. E mira kthehet me të mire! Gjykata Kushtetuese shkeli të gjitha afatet ligjore për të vendosur për kërkesën e Arban Abrashit. Në fund vendosi në interes të pushtetit.
Vendimi i sotëm i kësaj gjykate, më kujtoi një rast të viteve nëntëdhjeta të një mikut tim, profesor nga Tirana. Kishte shkuar në gjykim për të kërkuar lirimin e shtëpisë së tij, që ia kishte uzurpuar një palë. Kur gjykata vendosi në llogari të palës uzurpuese, profesori mbeti ulur në gjykatë, i habitur. Gjykatësi kërkoi të largohet, pasi kishte përfunduar gjykimi. Profesori e pyeti, po si u bë prona ime pronë e tij?! Gjykatësi iu përgjigj, kësaj radhe ky e bëri punën, bëre ti punën radhën tjetër!
Një shtet që e humb besimin në Gjykatën Kushtetuese nuk i ka punët mirë! As shteti e as Gjykata. IM