Mustafa i LDK-së: Qeveria po e injoron sektorin privat
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, në një konferencë për media ka thënë se masat e ndërmarra nga qeveria janë të vonuara dhe diskriminuara.
Mustafa ka thënë se pakoja e prezantuar nga ekzekutivi është bërë për të blerë paqen sociale.
“Qeveria këtë fundjavë paraqiti një pako të re, në panik e sipër, pa ndonjë konsultim, pako që është jo efektive dhe diskriminuese. Shumica e masave janë të vonshme, nuk janë të menduara mirë dhe do të kenë pak ose fare efekt, njëjtë sikurse masat e kaluara të kësaj qeverie. Për LDK-në ky është veprim në panik i kësaj qeverie për të ulur pakënaqësitë në rritje, për të blerë paqe sociale në vend se të jetë një plan i menduar mirë për të zgjidhur këtë krizë”, ka thënë Mustafa.
Më tutje, deputeti i LDK-së, ka thënë se qeveria është duke e injoruar sektorin privat.
“Qeveria ka vendosur të injorojë tërësisht të punësuarit në sektorin privat, dhe vet sektorin privat, të cilët janë kontributdhënësit më të mëdhenj tatimor dhe vet motori i ekonomisë. Nga të punësuarit e sektorit privat kjo qeveri vetëm merr dhe asgjë nuk jep. Asnjë cent po ashtu nuk u dha për të papunët, pra ata që nuk kanë asnjë të hyrë qeveria vendosi t’i injorojë tërësisht. Kjo pako qartësisht nuk ofron mbështetje për të gjithë qytetarët dhe është diskriminuese. Është diskriminuese për shkak se shkakton pabarazi duke u ndarë vlerën e njëjtë edhe atyre qe kanë 300 euro rrogë edhe atyre me 2 mijë euro rrogë, pra si roja si drejtori ekzekutiv marrin po të njëjtën përkrahje nga kjo qeveri”, ka thënë deputeti i LDK-së.
Po ashtu, Mustafa ka theksuar se qeveria po tenton të propozojë një ligj për çështjen e investimeve kapitale, por sipas tij është veprim i vonshëm.
Mustafa ka thënë se LDK-ja ka propozuar një zgjidhje të tillë një vit më parë kur do të kishte ndikim.
Zyrtari i LDK-së ka thënë se viti 2022 do të përfundojë me një përqindje qesharake të shpenzimeve kapitale.
Mustafa i ka bërë thirrje qeverisë që të trajtojë krizën me seriozitet dhe të ndërmarrë masa konkrete.