Mustafa i PDK-së: Kjo qeveri është përcaktuar ta përfundojë mandatin me ‘harrnime’
Koordinatori për Financa i PDK-së, Arben Mustafa, ka komentuar Qeverinë e Kosovës për vendimin e shpërndarjes së subvencioneve për familjet me asistencë sociale për blerjen e lëndëve djegëse me vlerë prej 5 milionë eurove.
Mustafa ka thënë se Qeveria e Kosovës i kishte braktisur këto familje duke mos bërë asnjë rritje të shumë së përfitimit social.
“Kjo qeveri si duket është përcaktuar që ta përfundojë mandatin me “harrnime” të tilla të përkohshme dhe të mos ofrojë asnjë zgjidhje të qëndrueshme për përmirësimin e jetës së qytetarëve”, ka shkruar Mustafa në “Facebook”.
Postimi i plotë i Mustafës:
Qeveria e Kosovës paska marrë vendim për t’i shpërndarë disa subvencione te familjet pranuese të ndihmave sociale si mbështetje për blerje të lëndëve ngrohëse.
Mirë që i paska ra ndërmend që ekzistojnë ato familje, sepse i ka braktisur plotësisht në këtë kohë të krizës së rritjes së çmimeve duke mos bërë asnjë rritje të shumës së përfitimit social për ato familje.
Megjithatë, si në çdo rast tjetër, edhe në këtë rast vërehet ngathtësia e kësaj qeverie për t’iu përgjigjur me kohë nevojave të qytetarëve.
Dihet mirëfilli se drunjtë për ngrohje blihen më herët, kur kushtet atmosferike janë më të mira, dhe jo në këtë kohë kur familjet e varfra ka javë që po sfidohen me temperaturat e ulëta në shtëpitë e tyre dhe kushtet për ti përgatitur drunjtë për ngrohje tani janë shumë më të vështira.
Kjo qeveri si duket është përcaktuar që ta përfundojë mandatin me “harrnime” të tilla të përkohshme dhe të mos ofrojë asnjë zgjidhje të qëndrueshme për përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Subvencione dhe subvencione – asgjë tjetër!