Mustafa i përgjigjet Kurtit: Koalicion vetëm me Vjosën kryeministre
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa i është përgjigjur kreut të Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, për koalicion parazgjedhor.
Në letrën drejtuar Kurtit, Mustafa ka vlerësuar se LDK-ja është e hapur të bëjë koalicion me LV-në vetëm me Vjosa Osmanin si kandidate të përbashkët për kryeministre.
Sipas Mustafës, oferta e Kurtit me një listë pa një prijës të nominuar, është një listë pa krye dhe pa orientim të qartë.
Shkrimi i plotë i Mustafës në llogarinë e vet në “Facebook”:
Letër drejtuar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje z. Albin Kurti
I nderuari Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurti
Gjatë muajve, javëve dhe ditëve të fundit, LDK-ja ka punuar shumë dhe hapur, për të arritur një marrëveshje bashkëpunimi me VV-në, me qëllim që të lidhim koalicion parazgjedhor dhe për të garuar së bashku më 6 tetor.
LDK-ja me kohë e ka bërë të ditur se njeh dhe e vlerëson pritshmërinë e qytetarëve të Kosovës për këtë bashkëpunim.
LDK-ja është e hapur që marrëveshja të lidhet, nën drejtimin e kandidates sonë për kryeministre, znj. Vjosa Osmani.
Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së e ka miratuar unanimisht kandidaturën e znj. Osmani, prandaj ajo e ka përkrahjen e plotë të LDK-së për të kryesuar listën si kandidate për kryeministre dhe për të fituar zgjedhjet.
LDK-ja është subjekti më i madh politik në Kosovë, ka besimin më të madh, ka përkrahjen më të madhe, prandaj edhe do ta udhëheqë vendin.
Propozimi juaj shpie, nga gara me të tjerët, në garë ndërmjet nesh, ndërsa kjo do të dëmtonte seriozisht interesin e përbashkët.
Po ashtu, LDK-ja vlerëson se një listë pa një prijës të nominuar, është një listë pa krye dhe pa orientim të qartë.
LDK-ja shpreh gatishmërinë e plotë që të vijojë bashkëpunimin me VV-në, tani apo dhe pas zgjedhjeve dhe e konsideron atë si partner në kauzën për të shpëtuar vendin nga krimi, korrupsioni, zhvatja dhe për ta nxjerrë vendin nga izolimi.
Me respekt, Isa Mustafa