Mustafa i përgjigjet Osmanit për kthimin e mundshëm në LDK: Dikujt mund t’i bie ndërmend të bëhet edhe mbretëreshë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka ironizuar me deklaratën e Vjosa Osmanit, pasi kjo e fundit është deklaruar për një kthim të mundshëm në LDK nëse nga kjo parti do të largohej kryesia aktuale.
Lideri i LDK-së, Isa Mustafa në një deklaratë për “Telegrafin”, ka thënë se dikujt mund t’i bie ndërmend të bëhet edhe mbretëreshë e Mbretërisë së Bashkuar.
“Nuk e shoh të arsyeshme të komentoj, çfarë kujt i bie ndërmend të deklarojë. Mund t’i bie ndërmend dikujt nga ne të bëhet edhe mbretëreshë e Mbretërisë së Bashkuar, në qoftë së tërhiqet Elizabeta”, ka thënë Mustafa.
Ndërkohë, u.d e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani tash e një kohë ka kundërshtuar lidershipin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e në veçanti kreun e kësaj partie, Isa Mustafa.
Osmani në një deklaratë të dhënë mbrëmë në debatin “Kallxo Pernime”, ka thënë se njerëzit e LDK-së që besojnë në vlera mund t’i bashkohen iniciativës së saj të re.
“Njerëzve të LDK-së që besojnë që vlera dhe potenciali i tyre nuk lejojnë që votat dhe besimi i tyre me u keqpërdor e kanë derën të hapur. Secili në LDK duhet ta ketë parasysh që a duam të jenë pjesë e një koncepti politik që e keqpërdor deri në masën më ekstreme besimin e votuesve. Le të largohet kryesia e re e LDK-së, e le të vijnë të flasim për mundësinë e kthimit në LDK”, ka thënë ajo.