Mustafa i përkushtuar që të vazhdohet respektimi i Ligjit për Barazi Gjinore
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) bashkë me organet e saj është e përkushtuar të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët, pronën publike e private në Republikën e Kosovës.
Ministrit i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, mbështet ruajtjen e integritetit dhe kultivimin e mëtutjeshëm të kredibilitetit të autoriteteve me rol të rëndësishëm si: Policia e Kosovës, Inspektorati Policor i Kosovës, Akademia e Kosovës për Siguri Publike, Agjencia për Menaxhim Emergjent, Agjencia për Regjistrim Civil dhe Agjencia e Kosovës për Forenzikë, jo vetëm në raport me qytetarët dhe opinionin publik, por edhe për të siguruar që këto organe shtetërore do të jenë garant i standardeve më të larta profesionale edhe për vet pjesëtarët e tyre, të cilët në baza ditore japin kontribut të çmuar.
“Duke e pasur parasysh se Republika e Kosovës ka kornizë ligjore dhe institucionale për arritjen e barazisë gjinore, duke e vlerësuar nevojën për avancim të mëtutjeshëm të barazisë gjinore, si dhe me qëllim të arritjes së barazisë së plotë gjinore në plan profesional, me rastin e planifikimit të rekrutimit të stafit në të gjitha nivelet, ministri Mustafa kërkon që përveç akteve të cilat rregullojnë marrëdhënien e punës, të vazhdohet të respektohet edhe Ligji Nr. 05/L -020 për Barazi Gjinore”, është bërë me dije në komunikatën e MPB-së.
Sipas kësaj komunikate, kjo kërkesë e parashtruar ka pritjen legjitime që të arrihet përfaqësim më i madh në të gjitha pozitat, edhe ato udhëheqëse, në organet e administratës shtetërore të MPB-së dhe gjithë kjo është në funksion të sigurimit të rendit dhe ligjit, si dhe ruajtjes së integritetit, kredibilitetit dhe besimit të qytetarëve në autoritetet e sigurisë.
“Ministri Mustafa shpreh mirënjohjen dhe konsideratat më të larta për të gjithë zyrtarët dhe pjesëtarët e MPB-së dhe agjencive të saj të cilët me përkushtim të jashtëzakonshëm zbatojnë të gjitha obligimet kushtetuese e ligjore, për një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët”, është theksuar në komunikatën e MPB-së.
/Epoka e re/