Mustafa i reagon Selimit: Kryeministrin e udhëzon Kushtetuta e jo liderët e tri partive
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj deklarimeve të ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi se kryeministri Avdullah Hoti do të jetë i pavarur në punët e tij të brendshme, ndërsa në punët e jashtme do të udhëzohet nga tre liderët politikë, duke thënë se një gjë e tillë është një ndërhyrje në përgjegjësitë kushtetuese të kryeministrit dhe qeverisë, dhe si e tillë është e papranueshme.
“Kryeministrin e udhëzon Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës; Qeveria dhe Kryeministri i përgjigjen Kuvendit të Kosovës”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i tij:
Duhet te sqarohem lidhur me disa deklarata që po ipen rreth dialogut dhe rolit tim dhe të liderëve tjerë të koalicionit qeverisës.
Unë, si Kryetar i LDK-së nuk i jap udhëzime Kryeministrit Hoti. Unë konsultohem me Kryeministrin dhe partnerët e koalicionit për dialogun dhe për çështjet e tjera programore. Kërkoj dhe do të kërkoj të implementohet Programi qeverisës, kurse dialogu të zhvillohet në suaza të parimeve për të cilat jemi pajtuar.
Preferoj të kemi konsultime të rregullta dhe përmbajtësore me partnerët e koalicionit dhe me Kryeministrin, por edhe ta respektojmë Kryeministrit dhe ti besojme që ai ta kryej detyrën e tij.
Tezat, që po i proklamon Ministri i Drejtësisë, se kryeministri do të jetë i pavarur në punët e tij të brendshme, kurse në punët e jashtme do të udhëzohet nga tre liderët politik, për mua janë ndërhyrje në përgjegjësitë kushtetuese të Kryeministrit dhe qeverisë, prandaj edhe të papranueshme.
Kryeministrin e udhëzon Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës; Qeveria dhe Kryeministri i përgjigjen Kuvendit të Kosovës. IM