Mustafa i telefonon Metës: Me mendje jemi në Shqipëri
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka bërë me dije se i ka telefonuar presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta pas tërmetit që ka përfshirë shtetin shqiptar.
Mustafa ka thënë se ka uruar Metën që sa më shpejt të kalohet kjo gjendje e krijuar pas tërmetit ku kanë humbur jetën 16 persona dhe janë lënduar mbi 600 të tjerë.
“Të nderuar qytetarë, Shqipëria dhe shqiptarët po përjetojnë një tragjedi të rëndë nga pasojat e tërmetit. I telefonova presidentit të Shqipërisë, z. Ilir Meta për t’i shprehur dhembjen dhe solidarizimin tonë me shtetin shqiptar dhe me familjet e viktimave të kësaj fatkeqësie. E urova që sa më shpejtë të tejkalohet kjo gjendje me sa më pak viktima njerëzore e materiale dhe për shërim sa më të shpejtë të vëllezërve dhe motrave tona që morën lëndime në këtë fatkeqësi. Fizikisht jemi në Kosovë por me mendje dhe përjetime, së bashku me juve në Shqipëri”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/