Mustafa: Institucionet po e shkelin ligjin me mosshkarkimin e kryetarëve në veri

13 janar 2019 | 12:10

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se kryetarët e komunave në veri në vendit do të duhej të shkarkohen meqë nuk po e pranojnë Republikën e Kosovës, në të cilën kanë konkurruar për kryetarë të komunave.

Ai ka thënë se në këtë rast institucionet po e shkelin ligjin.

“Arsyetimi se kryetarët e këtyre komunave iu janë drejtuar institucioneve të Kosovës me Kosovë e Metohi, nuk justifikon heshtjen e Qeverisë dhe ministrisë përgjegjëse. Në të kundërtën, ata do të duhej të shkarkohen për faktin se nuk po e pranojnë Republikën e Kosovës, në të cilën kanë konkurruar për kryetarë të komunave. Në këtë rast institucionet po e shkelin ligjin. Konservimi i gjendjes në veri jashtë komunikimit me institucione qendrore, frikësohem se është akt i paramenduar për pazare territoriale me Serbinë, për çfarë LDK nuk pajtohet dhe nuk do të pajtohet me asnjë kusht”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i tij:

Çfarë po ndodhë me dhe në veriun e vendit, a di kush?

Si kryetar i LDK-së dhe qytetar i Kosovës pyes institucionet përgjegjëse të vendit, Presidentin, Kuvendin, Qeverinë, institucionet e drejtësisë: a po ushtrohet sovraniteti shtetëror në komunat Leposaviç, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, në një sipërfaqe prej 1005 km katror, (jo hektar) të cilat përbëjnë 10% të territorit të Kosovës? Në fund të nëntorit kryetarët e këtyre komunave deklaruan se dorëhiqen dhe e ndërprenë komunikimin me Prishtinën (organet qendrore).

– A vazhdojnë të financohen këto komuna për paga, mëditje, mallra dhe shërbime, investime kapitale, transfere sociale dhe nevoja tjera nga buxheti i Kosovës dhe kujt i japin përgjegjësi?

– Në çfarë mënyre institucionet e Kosovës komunikojnë me qytetarët e Republikës së Kosovës, serbë, shqiptarë, boshnjak e tjerë që jetojnë në veri?

– Si komunikohet dhe si funksionojnë gjykatësit dhe prokurorët serb në veri të vendit dhe kujt po i japin përgjegjësi?

– A po arrijnë institucionet e vendit të mbikëqyrin vijën kufitare të këtyre komunave me Serbinë për të parandaluar krimin ekonomik, hyrjen ilegale të mallrave përmes rrugëve sekondare dhe evazionin fiskal?

– Pse nuk po shpallen zgjedhjet për kryetarë të këtyre komunave?

– Pyes qytetarët: a është vendim i madh dhe i guximshëm i institucioneve të Kosovës që të lënë në diskomunikim 1/10 e territorit të shtetit, apo është papërgjegjësi dhe paaftësi?

Arsyetimi se kryetarët e këtyre komunave iu janë drejtuar institucioneve të Kosovës me Kosovë e Metohi, nuk justifikon heshtjen e Qeverisë dhe ministrisë përgjegjëse. Në të kundërtën, ata do të duhej të shkarkohen për faktin se nuk po e pranojnë Republikën e Kosovës, në të cilën kanë konkurruar për kryetarë të komunave. Në këtë rast institucionet po e shkelin ligjin.

Konservimi i gjendjes në veri jashtë komunikimit me institucione qendrore, frikësohem se është akt i paramenduar për pazare territoriale me Serbinë, për çfarë LDK nuk pajtohet dhe nuk do të pajtohet me asnjë kusht.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga nesër, disa ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do…