Mustafa jep detaje shtesë për ofertën e LDK-së për bashkëqeverisje me LV-në
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka folur pas publikimit të ofertës që ia kanë dërguar sot edhe zyrtarisht Lëvizjes Vetëvendosje për bashkëqeverisje.
Mustafa ka thënë se pas kësaj oferte do të presin se si do të veprojë partia e Albin Kurtit.
“Ajo është ofertë që ne e kemi trajtuar gjatë bisedave tona. Ne kemi kërkuar që LV-ja pas datës 26 të sqarojë pozicionin e saj lidhur me partneritetin e mëtutjeshëm dhe si e shohin ata vendin e LDK-së në këtë partneritet. Së pari të sqaroj se ne nuk duam të bëjmë asnjë marrëveshje për bashkëqeverisje nëse nuk është marrëveshje partneriteti, në të cilën dy palët do të ndiheshin të fuqishëm për aq sa kanë marrë besimin e qytetareve të Kosovës. Në këto biseda ne e kemi dhënë pozicionin për mënyrën se si të përafrohemi dhe gjejmë zgjidhje, pa marrë parasysh si e cilësojmë në si zgjidhje politike, si ofertë ose si bazë për arritje të marrëveshjes, ato kanë qenë qëllime të tona dhe kemi pritur se LV-ja do t’i mirëpret në mënyrë që vendi të ketë zgjidhje nga zgjedhjet”, ka thënë Mustafa.
Më tutje, Mustafa ka thënë se nuk e kanë vlerësuar atë që ka propozuar LDK-ja, e që e njëjta sipas tij do të vlerësohet në organet e partisë.
“Ne nuk e vlerësojmë atë që na ka shkruar Vetëvendosje sepse në qoftë se e trajtojmë në organet tona, trajtohen vetëm parimet mbi të cilat ne vazhdojmë të bëjmë biseda. Në asnjë rast nuk kemi kërkuar shtim të ministrive, ndryshim, këmbim të ministrive, por kemi kërkuar marrëveshje të partneritetit. Prandaj si të tillë nuk e shqyrtojmë një pozicionim të tillë por i trajtojmë qëndrimet tona. Qëndrimi i Këshillit ka qenë ky që ne të kemi këto pozita dhe çdo ndryshim nuk mund të bëhet pa marrje të verifikim në organet tona”, ka thënë Mustafa.
Ai ka theksuar se nuk kanë arsye që të ulen më me LV-në e të diskutojnë nga tre orë, takimi i ardhshëm sipas tij duhet të bëhet për të arritur marrëveshje.
“Nuk shoh arsye që të ulemi dhe të flasim për tre orë dhe të dalim si memecë pranë jush, shoh arsye që takimi i ardhshëm të bëhet vetëm për të arritur deri te marrëveshja. Shoh arsye që të bëjmë marrëveshje, por marrëveshje partneriteti është e papranueshme që të zhagitemi”, ka thënë Mustafa.