Mustafa: Keqpërdoruesit me listat e veteranëve të UÇK-së duhet të japin përgjegjësi
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se shteti i Kosovës duhet të gjejë rrugë për tejkalimin e deformimeve me listat e veteranëve të UÇK-së dhe përfitimet e pamerituara të një pjese të tyre.
“Këtë problem e kemi diskutuar disa herë me përfaqësuesit e FMN-së sa isha kryeministër i vendit, dhe ishim në një rrugë të gjejmë zgjidhje nga ekspertiza dhe përvoja e tyre ndërkombëtare. Si i tillë, ekzagjerimi i listave dhe numrit të veteranëve nuk duhet të jetë vetëm çështje e prokurorisë dhe gjyqësisë, edhe pse këto organe duhet të vazhdojnë pa presione ta bëjnë punën e tyre”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e vet në “Facebook”.
Mustafa ka thënë se keqpërdoruesit e këtyre listave duhet të japin përgjegjësi.
“Gjeneza, mendoj se, qëndron te lëshimi me prapavijë klienteliste apo edhe nga interesa të tjera e dëshmive nga përgjegjësit e zonave për njerëz që nuk kanë qenë pjesë aktive e luftës. Prandaj duhet të sillemi racionalist, të mos ngatërrojmë adresat, sepse as Kryeprokurori dhe as ish prokurori i lëndë nuk i kanë fryrë listat. Shfryrja e listave duhet të ndodhë nga ata që i kanë fryrë dhe me Ligj të veçantë. Ndërkaq, keqpërdoruesit duhet të përgjigjen”, ka shkruar Mustafa.
/Epoka e re/