Mustafa kërkon mbështetjen e vendeve të BE-së për heqjen e vizave
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, sot me ftesë të presidentit të Partive Popullore Evropiane (EPP), Donald Tusk, ka marrë pjesë në takimin-videokonferencën, me liderët e EPP-së, organizuar nga partitë popullore, në kuadër të Samitit të Zagrebit.
Në këtë takim, kryetari Mustafa, ka diskutuar për perspektivat e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe sfidat me të cilat janë duke u ballafaquar këto vende, në veçanti me pandeminë Covid-19.
Më tutje, Mustafa ka kërkuar mbështetjen e të gjitha vendeve të BE-së për liberalizimin e vizave.
Po ashtu, kryetari Mustafa, ka diskutuar për objektivat e qeverisë së LDK-së, përfshirë trajtimin e situatës së post pandemisë, rimëkëmbjen ekonomike, forcimin e ligjit, luftimin e korrupsionit dhe objektivat tjera kyçe që do të ndikojnë në zhvillimin e Kosovës.
Në këtë pikë, kryetari Mustafa ka theksuar se dialogu Kosovë – Serbi do të jetë në fokus, që synon të ketë njohjen reciproke.
Mustafa ka falënderuar BE-në për përkrahjen e deritanishme në të gjitha proceset.
Në Samitin e EPP-së, kanë marrë pjesë liderët institucionalë dhe të opozitës të 27 vendeve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor. (L.G: ‘Epoka e re’)