Mustafa kërkon zgjedhje: S’ka kuptim të vazhdohet kështu, hera e parë në histori që qeveria çon dorë ndaj deputetëve

14 korrik 2023 | 14:56

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka komentuar ngjarjet e fundit në Kuvendin e Kosovës dhe zhvillimet politike në vend.

Ai në një intervistë për “Kosovalive.net” me Ridvan Berishën, ka thënë se është hera e parë që në Kuvendin e Kosovës, Qeveria ushtron dhunë dhe çon dorë ndaj deputetëve.

Mustafa është shprehur se nëse qeveria Kurti nuk heq dorë nga dhuna atëherë lë të largohet dhe të shpallen zgjedhjet.

Më tutje Mustafa ka kritikuar opozitën e Kosovës, e cila sipas tij është duke thënë se nuk është e interesuar që ta rrëzojë qeverinë pasi po presin që të bie vetë.

Mustafa ka thënë se kjo qasje është gabim dhe nëse mendojnë kështu atëherë lë të bëhen me qeverinë të gjithë së bashku dhe ta dërgojnë në ferr këtë vend.

Intervista e plotë:

Mustafa, si i cilësoni zhvillimet e djeshme në Kuvend, çfarë domethënie kanë për juve si ish-kryeministër?

Isa Mustafa: Ishin zhvillime shumë të rënda, ishin kthim në vitin 2015 dhe 2016, kur ne kemi pasur veprime të tilla të dhunshme në Kuvend, duket se LVV-së nuk po heq dorë nga dhuna e nga politika e dhunës në institucionet e Republikës së Kosovës. Ajo që ndodhi dje, do të thotë është krejtësisht e papranueshme që një zëvendëskryeministër të godasë me shishë një deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës, tjetri ta sulmoj deputetin dhe pastaj e gjithë ajo eskalojë në një dhunë ndërmjet deputetëve të Kuvendit. Ne kemi pasur dhunë të tillë në Parlament në vitin 2015, por asnjëri nga qeveritarët nuk ka ndodhur që të sulmoj deputetët ose të ushtroj dhunë mbi deputetët, është e vërtet që deputetët kanë ushtruar dhunë mbi qeverinë, është hedhur gazlotsjellës, shishe të ujit, është hedhur sprej syve edhe nga kryeministri i tanishëm por askush nuk ka çuar dorë mbi deputetët dhe kjo është hera e parë që qeveria çon dorë mbi deputetët gjë që flet në çfarë situate ka ardhur demokracia dhe parlamentarizmi në Kosovë.

Në çfarë niveli është demokracia kryeministër Mustafa tani?

Isa Mustafa: Tani është vështirë të flitet për demokraci, demokracia vetëm mundet si mocion pezhorativ të flitet e të shfrytëzohet për krahasueshmëri me të kaluarën, mirëpo nuk kemi fare demokraci. Ne kemi pasur rivalitete të mëdha politike edhe pas luftës, edhe në kohën kur Kosova ende s’i ka menaxhuar nuk i ka drejtuar institucionet vetë, mirëpo i ka drejtuar së bashku me UNMIK-un, edhe më vonë kur jemi pavarësuar kur e kemi shpallur pavarësinë, mirëpo në asnjë rast ne nuk kemi pasur dhunë ndërmjet subjekteve politike ose dhunë ndërmjet Qeverisë dhe Kuvendit, qoftë brenda Kuvendit, qoftë jashtë. Hera e parë që u instalua dhuna në Kuvend është nga Lëvizja Vetëvendosje dhe unë do të dëshiroja që më kjo mos të shihet në institucionet e Republikës së Kosovës dhe që LV-ja të heq dorë nga dhuna, nëse është e gatshme ta qeverisë vendin pa dhunë, le ta qeverisin, nëse nuk është atëherë do t’i bënte shumë mirë edhe vendit edhe demokracisë edhe integrimit tonë evropian euroatlantik të tërhiqet dhe të mos ushtroj qeverisje përmes dhunës.

Po thoni të shkojmë në zgjedhje sa më parë?

Isa Mustafa:  Gjithsesi. S’ka kuptim që vendi të qeveriset në këtë formë, të rrezikohen marrëdhëniet me partnerët tanë ndërkombëtarë, të bashkëpunohet në mënyrë të fshehur me krerët e Listës Serbe që tani janë në kërkim nga drejtësia vendore dhe janë shpallur si persona të padëshiruar nga ShBA-të, ndërsa në anën tjetër të flitet për patriotizëm. Të flitet për çetnikë, të flitet për terroristët serbë edhe të ushqehet mllefi, të ushqehet urrejtja te popullata e krejtësisht ndryshe të veprohet prapa perdes me Listën Serbe dhe me njerëzit tonë, gjithsesi nuk dua që të them se ne duhet të acarojmë relacionet me serbët se ata janë qytetarë të Republikës së Kosovës. Ne duhet të komunikojmë me ta. Ne nuk duhet të lejojmë që Qeveritarët të gënjejnë popullin sa i përket relacioneve me serbët dhe me ata që çdo ditë i quajnë çetnikë dhe terroristë.

Për sa kohë keni qenë në qeveri nga viti 2015 i keni raportuar gjithë ato zhvillime të agravuara të sigurisë të papara ndonjëherë me gazlotsjellës, sulmet ndaj jush personalisht në rrugë me tela gjembor, sulmet që ndërkohë ishit në lëvizje me eskortë zyrtare, kam idenë që nuk u përmend zëshëm e gjithë ajo situatë dje në Kuvend edhe për sa kohë po e bëjmë këtë lloj interviste.

Isa Mustafa: Unë e pashë në televizion disa skena të atëhershme dhe të ju them të drejtën u tmerrova kur i pashë ato skena. I pash njerëzit në ato skena që sot janë në anën tjetër të Vetëvendosjes, ndërkohë që atëherë ishin bartës kryesorë të asaj dhunës, të atyre filikaqave, të hedhjes së gazitlotsjellës. Nganjëherë është mirë edhe mos me i pa fare, mirëpo është e domosdoshme që ta përkujtojnë vetveten, që ta përkujtojnë edhe subjektet politike se çfarë ka ndodhur sepse unë i pashë dje disa njerëz që kanë qenë atëherë në LDK e që kanë qenë në forma të ndryshme në qeveri dhe që ishin rreshtuar lartë në podiumin e qeverisë e cila ushtronte dhunë mbi deputetët e që mendoj se megjithatë duhet t’i sqarojmë gjërat që të jemi shumë transparent. T’i kthehemi edhe njëherë të kaluarës, të themi se çka kanë bërë njerëzit në Kuvend, jashtë Kuvendit, kush janë ata që kanë gjuajtur me bomba të molotovit, ata që kanë gjuajtur me granda, ata që gjuajtur me hekura si iriq që të rrëzohet eskorta e kryeministrit, ata që kanë gjuajtur që ta djegin shtëpinë privaten timen edhe televizionin publik. Atëherë janë njerëz që i bëjnë politikat e Kosovës, i shpallin të tjerët terroristë, mirëpo shtrohet pyetja se a kanë ushtruar edhe këta terror.

A shihni kauzë kohezive të konsoliduar opozitare për t’u përballur objektivisht me një subjekt që sot është në pushtet, e që në gjykimin tuaj, erdhi në pushtet nën kamuflimin se ata përfaqësojnë pastërtinë dhe gjithë ju të tjerët e përfaqësoni të keqën?

Isa Mustafa: Po duket tash qartë, e tepërt të thuhet se cilën pastërti po e përfaqësojnë këta që janë sot në pushtet. Kjo pastërti nuk i nevojitet asnjë vendi. Nuk na nevojitet as neve. Nuk është kurrfarë pastërtie është një gënjeshtër, një mashtrim shumë i madh që po ushtrohet dhe është ushtruar ndaj qytetarëve. Disave ua kanë larë edhe mendjen, mirëpo njerëzit ngadalëdalë do të vetëdijesohen edhe lidhur me këtë situatë. Ndërsa sa i përket kauzës, unë nuk shoh që opozita ka një kauzë të qartë politike se të gjithë po veprojnë nga këndi i tyre, por mendoj se opozita kanë mjaftë argumente, kanë mjaftë materiale, kanë mjaftë opinione që t’i shfrytëzojnë dhe t’i zhvillojnë para qytetarëve të Republikës së Kosovës. T’i zhvillojnë aty në Kuvend, natyrisht jo përmes dhunës, por përmes argumenteve t’ju ndihmojnë edhe mediave se edhe mediet tash po zhvillojnë një fushatë, jo një fushatë, por një opozitarizëm shumë të faktuae edhe shumë të argumentuar para qytetarëve dhe do të ishte gabim i madh që opozita të thotë ne nuk jemi të interesuar të rrëzojmë qeverinë  e qeveria duhet të bjerë vetë sepse nëse s’janë të interesuar të rrëzojnë qeverinë. Atëherë shtrohet pyetja çka po bëjnë aty atëherë, pse s’po bëhen edhe vetë qeveri, të bëhet një qeveri me krejt pozitë e opozitë e le ta qojnë në ferr këtë vend.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova U22 femrat ka fituar pikë në tavolinë në Kampionatin…