Mustafa: Kontributi i Vokrrit për promovimin e sportit ishte i jashtëzakonshëm
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa në dy vjetorin e vdekjes së legjendës Fadil Vokrri, ka thënë se Vokrri me kontributin e tij të jashtëzakonshëm arriti të promovoj sportin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Sipas kreut të LDK-së, emri dhe figura e Fadil Vokrrit do të jenë motivi i çdo të riu që synon të bëjë karrierë të suksesshme në fushën e futbollit.
“Sot, në dyvjetorin e vdekjes përkujtojmë ikonën e futbollit kosovar, Fadil Vokrrin. Vokrri ishte personalitet me vlera të larta njerëzore dhe sportist i nivelit ndërkombëtar. Ai me kontributin e tij të jashtëzakonshëm në promovimin e sportit kosovar në arenën ndërkombëtar, arriti që vendin tonë ta anëtarësoj në dy shtëpitë më të mëdha të futbollit në nivel botëror në UEFA dhe FIFA. Emri dhe figura e Fadilit do të jenë motivi i çdo të riu që synon të bëjë karrierë të suksesshme në fushën e futbollit. Kosova është krenare që lindi dhe rriti një talent të rrallë siç ishte Fadili. Lavdi jetës dhe veprës së Fadil Vokrrit”, ka shkruar kreu i LDK-së, Isa Mustafa.
(V.Z / Epoka e re)