Mustafa: Kosova të bëjë përpjekje maksimale që qytetarët e saj të lirohen nga regjimi i vizave
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se individët që sot po flasin se liberalizimi mund të shtyhet deri në vitin 2020 dhe që mundohen ta hedhin gurin te opozita, e dinë mirë se ku është problemi, por sipas tij u nevojitet një përbaltje e brendshme për ta arsyetuar veten.
Pavarësisht nga kjo, Mustafa ka thënë se Kosova duhet të bëjë përpjekje maksimale që qytetarët e saj të lirohen nga regjimi i vizave sa më shpejtë.
“Të garantojmë se ky vend do të qeveriset mirë e pa korrupsion, se do ta zhvillojmë ekonominë e të hapim vende pune. Të mos ndjellim frikë se të rinjtë tanë do ta braktisin Kosovën e do ta marrin botën në sy”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i tij:
Kur në vitin 2016 kërkonim të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si kusht për liberalizim të vizave por edhe si instrument i sovranitetit shtetëror, këta që sot janë në pushtet e kundërshtonin dhe propagandonin rrejshëm se po humbim mbi 8000 hektar tokë.
Me mashtrime dhe me politika populliste, atëherë humbëm shansin ta përmbyllim procesin e liberalizimit. Tani, në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, rreziku nga popullizmi i ka kaluar kufijtë e mashtrimeve dhe primitivizmit tonë.
Ekziston frika reale se shtete të veçanta do të hezitojnë të përkrahin liberalizimin e vizave për Kosovën, duke u frikësuar nga popullistët, të djathtë e të majtë, në vendet e tyre, deri sa të përfundojë procesi i zgjedhjeve në institucionet e BE, epilogu i të cilave është vështirë të dihet.
Individët, që sot flasin se liberalizimi mund të shtyhet deri në vitin 2020, dhe që mundohen ta hedhin gurin te opozita, e dinë mirë se ku është problemi, por iu nevojitet një përbaltje e brendshme për ta arsyetuar veten.
Pavarësisht nga kjo, Kosova duhet të bëjë përpjekje maksimale që qytetarët e saj të lirohen nga regjimi i vizave sa më shpejtë; të garantojmë se ky vend do të qeveriset mirë e pa korrupsion, se do ta zhvillojmë ekonominë e të hapim vende pune.
Të mos ndjellim frikë se të rinjtë tanë do ta braktisin Kosovën e do ta marrin botën në sy.
/Epoka e re/