Mustafa: Kosovën në Bruksel duhet ta përfaqësojë një Qeveri me përkrahje të gjerë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka komentuar takimin e djeshëm të delegacionit shtetëror të Kosovës me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Mustafa përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se Kosova dje në Bruksel u përfaqësua nga një delegacion pa relevantë.
“Dje Kosova u përfaqësua në Bruksel nga një delegacion pa relevancë. Mos të flas për numrin. Më parë, me kompetencë, një ministre e bënte punën e gjithë atyre që ishin në Bruksel. Ajo që dëgjuam, ishte se ata e morën një porosi të qartë. Se duhet të kthehen në Kosovë ta heqin taksën, si parakusht për dialogun”, ka thënë Mustafa.
Ai ka shtuar se bashkëkryesuesit në deklaratat e tyre nga Brukseli u munduan t’i tregojnë Kosovës se kush janë.
“Ata u morën me vetveten, jo me esencën e dialogut; u morën me taksën, pa dhënë përgjigje, dhe u morën me LDK-në. LDK-ja konsideron se dialogu me Serbinë është çështje shumë serioze për Kosovën. Një çështje serioze duhet të ketë qasje serioze dhe institucione që e përfaqësojnë me legjitimitet. Jo njerëz që shkojnë në Bruksel për të përgojuar opozitën. Logjika dhe kultura evropiane nuk i kultivon dhe nuk i preferon sjelljet e tilla. Kosovën në Bruksel duhet ta përfaqësoj një Qeveri me përkrahje të gjerë, e cila për çështje të dialogut arrin të sigurojë unitet. Ndryshe, të tjerët do na i bëjnë letrat e ne do të vazhdojmë të përplasemi ndërmjet veti”, ka thënë lideri i LDK-së, Isa Mustafa.
/Epoka e re/