Mustafa: Kosovës do t’i nevojitet kohë e gjatë për ta fituar besimin e ShBA-së dhe BE-së

08 gusht 2023 | 13:03

Se a do të ndryshojë qasja e Bashkimit Evropian (BE) ndaj Kosovës, pas letrës së politikanëve ndërkombëtarë drejt Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Evropian, Isa Mustafa është shprehur skeptik.

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se qeveria Kurti duhet të ndryshojë qasjen ndaj vetvetes, pastaj të pret që një gjë e tillë të ndodhë nga aleatët ndërkombëtarë.

“Kosova do duhej ta ndryshojë qasjen ndaj vetvetes për të pritur që të tjerët ta ndryshojnë qasjen ndaj saj. Ky lidership ka shkaktuar që gabimet e tij, shpërfillja e partnerëve ndërkombëtar dhe popullizmi të vërehen dhe dënohen më shumë sesa politikat nxitëse të konfliktit, të destabilitetit e të destruksionit politik të Serbisë. Serbia meriton të sanksionohet”, ka thënë Mustafa për “Blic”.

Sipas Mustafës, Kosovës i duhet kohë e gjatë që ta rifitojë besimin e humbur nga ShBA-të e BE-ja.

Mustafa ka thënë se e ardhmja e Kosovës do të jetë më e keqe se sa para ardhjes në pushtet të kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani.

“Por, frikësohem se Kosovës do t’i nevojitet kohë e gjatë për ta fituar besimin e ShBA-së dhe BE-së. Kjo qeveri do të pranojë dhe plotësojë të gjitha kërkesat amerikane dhe evropiane ndërkaq Kosova do të jetë më keq sesa para ardhjes në pushtet të Albinit dhe Vjosës”, ka thënë Mustafa.

 

Mustafa e quan Kurtin kryeministër me politikë populliste që sipas tij, ky i fundit do të “mbushet mend” se votat nuk e qojnë përpara.

 

“Megjithatë do të marrim mend të gjithë se politikat populliste sigurojnë vota në situata të krizës së vetëdijes shtetërore por se ato nuk na qojnë përpara”, ka thënë Mustafa.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prej kohësh tashmë në rrjetet sociale po qarkullojnë thashethemet se…