Mustafa: Kurti na cilësoi tradhtarë, por tani vet solli një lloj autonomie për serbët
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje me Serbinë, kryeministri Albin Kurti do t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet që i ka kritikuar më parë, e për të cilat i ka quajtur edhe tradhtarë.
Mustafa në emisionin ‘Pressing’ në T7 ka thënë se Kurti i ka kritikuar për nënshkrimin e marrëveshjeve të vitit 2013 e 2015, duke i shpallur si tradhtarë, e kështu duke i rrezikuar ata.
“Me këto marrëveshje do të zbatohen të gjitha marrëveshjet që janë kritikuar dhe në të cilat ne jemi cilësuar në forma të ndryshme. Unë në këtë rast nuk po preokupohem shumë se çfarë ka thënë Kurti për ne, si na ka kritikuar, si na ka rrezikuar para opinionit, sepse kemi qenë të rrezikuar nëse ne jemi shpallur tradhtarë, se ne i kemi bërë dëm Kosovës. Në këtë marrëveshje do të implementohet çdo gjë që është arritur më parë si marrëveshje”, ka thënë Mustafa.
Mustafa ka shtuar tutje se kjo marrëveshje që tani po e nënshkruan Kurti do të sjellë një lloj autonomie për serbët.
“Marrëveshja për asociacionin do të përfshijë edhe elemente të tjera, që nuk i përfshin marrëveshja e vitit 2013 që është ratifikuar në Kuvend, e aq më pak i përfshin parimet që janë dialoguar që kemi arritur në vitin 2015. Pika e 7 flet për një lloj vetëqeverisje të serbëve në Kosovë, nuk flitet për vetëqeverisje të komunave, por vetëqeverisje të komunitetit serbë, që nënkupton një lloj autonomie të serbëve në Kosovë”, ka thënë ai.
Megjithëkëtë, Mustafa thotë se Kurti duhet të jetë i kujdesshëm në procesin e zbatimit, pasi mund të ketë gjëra që mund t’i bëjnë dëm Kosovës.
“Edhe Kurti edhe të gjithë ne, pasi është fjala për një marrëveshje që e prek gjithë Kosovën, duhet të jemi të kujdesshëm, pasi çfarë po pranojmë në procesin e zbatimit, pasi që mund të jenë gjëra që në atë proces mund t’i bëjnë dëm Kosovës”, është shprehur Mustafa.