Mustafa, Kurtit: LDK-ja nuk e cakton datën për formimin e qeverisë, por partia fituese
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, i është kundërpërgjigjur liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili sot ka thënë se datën për formimin e qeverisë ia cakton LDK-ja dhe jo presidenti Hashim Thaçi.
Mustafa në llogarinë e vet në “Facebook” ka thënë se LDK-ja nuk e cakton datën për formimin e qeverisë por partia fituese e zgjedhjeve.
“Datat i cakton subjekti që del i pari në zgjedhe, ai që e merr mandatin për formimin e Qeverisë. Por, LDK insiston që sa më parë të kemi formim të institucioneve dhe kjo nuk do të thotë se LDK domosdoshmërisht do të bëhet pjesë e qeverisë”, ka shkruar Mustafa.
Postimi i plotë i Mustafës:
Të nderuar qytetarë,
Lidhja Demokratike e Kosovës është angazhuar për marrëveshje për bashkëqeverisje me LV-në mbi bazën e rezultateve zgjedhore të datës 6 tetor, të certifikuara nga KQZ. Nga këto zgjedhje ka dalë LV-ja si fitues relativ me 29 deputetë dhe LDK, parti e dytë, me 28 deputetë.
Nga zgjedhjet nuk ka fitues absolut, i cili jep ose është gjeneroz ndaj palës tjetër, por kemi një situatë ku përgjegjësia ndahet ndërmjet atyre që synojnë të bëhen partnerë në qeverisjen e ardhshme.
Prandaj LV-ja duhet të heq dorë nga diskursi se i ka dhënë diçka LDK-së. Lirisht mund ta themelojë qeverinë në qoftë se kanë votë të qytetarëve dhe mandate për ta bërë atë.
LDK-ja nuk ka kërkuar lëmoshë, por kemi ofruar gatishmërinë për t’i shërbyer qytetarit në partneritet të plotë, në proporcion me mandatet në Kuvend.
LDK-ja nuk cakton data. Datat i cakton subjekti që del i pari në zgjedhe, ai që e merr mandatin për formimin e Qeverisë. Por, LDK-ja insiston që sa më parë të kemi formim të institucioneve dhe kjo nuk do të thotë se LDK-ja domosdoshmërisht do të bëhet pjesë e qeverisë.
Është obligim i fituesit të zgjedhjeve që të shmang vonesat dhe t’i eliminojë pengesat për formimin e institucioneve. Ne bëmë punën tonë, zhbllokuam procesin, përkundër që s’kishim marrëveshje e as njoftim se LV-ja do të procedojë me Kryetarin e Kuvendit.
Për hir të së vërtetës, LDK-ja, jo që ka refuzuar por, ka vlerësuar se duhet t’i takojë kryeparlamentari me marrëveshje.
Caktimi i mandatarit, marrja e mandatit për kryeministër dhe gjetja e zgjidhjes për formimin e qeverisë, në këtë fazë, është detyrim i subjektit që renditet i pari në zgjedhje.
/Epoka e re/