
Mustafa: Kurtit nuk i mungojnë arsyet legjitime për t’i thyer premtimet e tij, është sikur ‘Princi i Makiavelit’
Gjatë ditës së djeshme ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, pati deklaruar se vendosja e masës së reciprocitetit me Serbinë, nuk është zgjidhje e problemeve.
Për këtë ndryshim të qëndrimit nga ana e Qeverisë Kurti, ka folur ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Mustafa për klankosova.tv ka thënë se Kurti do të tërhiqet nga shumë kauza.
Bile sipas tij kjo do të lavdërohet nga ana e militantëve të Vetëvendosjes si mençuri politike.
Madje ai e quajti të parin e qeverisë si “Princi i Makiavelit”, të cilit nuk i mungojnë arsyet legjitime për të thyer premtimet e tij.
“Z. Kurti do të tërhiqet nga shumë kauza. Lere që do të tërhiqet por edhe do të lavdërohet nga militantët e tij për mençurinë e tij politike në tërheqje. Në “Princin” e Makiavelit thuhet:“ Një princi nuk i mungojnë kurrë arsyet legjitime për të thyer premtimet e tij!” Prandaj nuk do ti mungojnë as “Princit” tonë!”.
Ish-numri një i Lidhjes Demokratike tha se për reciprocitetin kanë pasur qëndrime të përafërta me Vetëvendosjen.
Isa Mustafa theksoi se tarifën prej 100 % mëtonin ta zëvendësonin me reciprocitet.
“Sa i përket reciprocitetit, duhet të them se si LDK kemi patur pikëpamje të afërta me Vetëvendosjen para se të fillojmë me bashkëqeverisjen. Mëtonim që tarifat ti zëvendësojmë me reciprocitet. Pastaj pasoi reagimi dhe kërkesa nga SHBA për heqje të tarifës dhe moszbatim të reciprocitetit për ti hapur rrugë dialogut. Ne e vlerësuam më të rëndësishëm partneritetin me SHBA-të për interesa strategjike të Kosovës dhe prolongimin e zbatimit të masave të reciprocitetit për më vonë, në qoftë se nuk arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse”.
Ish-kryeministri i Kosovës ndër të tjera tha se Programi i Qeverisë Kurti, nuk ka shumë të përbashkëta me Republikën tonë.
“Tani rreziku qëndron në faktin, se çdo ditë po zgjerohet gama e kërkesave nga bashkësia ndërkombëtare karshi kompromiseve në Dialog. Në anën tjetër Programi qeverisës i Qeverisë Kurti nuk ka shumë të përbashkëta me Republikën tonë. Problemi, konsideroj se, është më i thellë nga ajo që duket”.