Mustafa: Largimi i Alma Lamës nga pozita e ambasadores në Itali, shembull i keq
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se largimi i Alma Lamës nga pozita e ambasadores në Itali me kërkesë të presidentit, është një shembull i keq dhe praktikë e dëmshme në jetën institucionale.
Ai ka thënë se për një veprim të tillë nuk kanë dhënë arsye as presidenti e as Ministria e Punëve të Jashtme, prandaj sipas tij nuk dihet se çfarë fshihet pas kësaj.
Megjithatë Mustafa ka vlerësuar se do të ishte institucionale dhe njerëzore që mos të luhet me fatin e njerëzve, të fëmijëve dhe familjeve të tyre.
Sipas tij Lama në Romë ka përfaqësuar me dinjitet shtetin e Kosovës, e jo partitë politike.
“Largimi i zonjës Alma Lama nga pozita e ambasadores në Itali, me kërkesë të Presidentit, është një shembull i keq dhe praktikë e dëmshme në jetën institucionale. As Presidenti dhe as Ministria e Punëve të Jashtme nuk kanë dhënë arsyet për një veprim të tillë dhe nuk dihet se çfarë fshihet pas kësaj. Por do të ishte institucionale dhe njerëzore që mos të luhet me fatin e njerëzve, të fëmijëve dhe familjeve të tyre. Sa kam qenë unë kryeministër nuk kam lejuar të ndërrohen njerëzit mbi baza politike e klienteliste në mënyrë të tillë, pa marrë parasysh se nga e cila parti kanë qenë. Unë jam i bindur se zonja Lama në Romë ka përfaqësuar me dinjitet shtetin e Kosovës, e jo partitë politike. Por, po ashtu, se nuk u ka shërbyer individëve”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/