Mustafa: LDK-ja ka programin dhe aftësitë e duhura për ndryshime të prekshme
Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, i cili është edhe kandidat i kësaj partë për deputet, ka thënë se më 9 shkurt qytetarët e Kosovës do të jenë para dy zgjidhjeve.
Në një konferencë për medie, ai ka thënë se ata do të mund të zgjedhin në mes të alternatives për një Kosovë të izoluar dhe alternatives për një Kosovë të zhvilluar dhe me perspektivë për të gjithë qytetarët.
“Mendoni se si dëshironi të duket Kosova pas katër vitesh. E izoluar, e fundit në Evropë në ekonomi, arsim e shëndetësi, e varfër, me fëmijët tuaj që largohen nga për të kërkuar shpresë në shtete të largëta? Apo dëshironi të ardhmen që po ofron LDK në krye me Lumirin?”, ka deklaruar Mustafa.
Sipas tij, alternativa që ofron LDK-ja, në krye me Lumir Abdixhikun, garanton një të ardhme me ndryshime të prekshme për Kosovën.
“Një e ardhme ku kosovarët mund të lulëzojnë, me investime të larta të huaja, me 1.5 miliard euro të investuara vetëm në Prishtinë, me mësim tërditor në shkolla anembanë Kosovës, me projekte kapitale që zgjidhin sfidat tuaja, dhe më e rëndësishmja, me udhëheqës që me të vërtetë kujdesen për ju, qytetarët tanë, popullin tonë. LDK ka programin e duhur dhe ka aftësinë për të ofruar ndryshime të prekshme”, është shprehur ai.