Mustafa: LDK-ja shkon vetë në zgjedhje
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka bërë me dije se kjo parti do të shkojë e vetme në zgjedhje.
“LDK-ja mban qëndrimin parimor që të shkojmë vetë në zgjedhje, por edhe këtë do ta diskutojmë në ditët në vijim në Këshillin e Përgjithshëm. Vendi është qeverisur keq e më keq nga koalicioni PAN, prandaj nevojiten ndryshime”, ka thënë Mustafa për gazetën “Express”.
Mustafa dje ishte takuar me kryetarin e PSD-së, Shpend Ahmeti dhe atë të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Në këtë drejtim, ai ka thënë se do të takohet edhe me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Mendoj se do të takohemi. Çdo takim është i vlefshëm, pa marrë parasysh objektivat. Na nevojitet një proces zgjedhor i rregullt, i pranueshëm dhe transparent. Sido që të jetë do të kemi nevojë të bashkëpunojmë edhe pas zgjedhjeve. Nuk përfundon çdo gjë me zgjedhjet”, ka thënë Mustafa.
Gazeta “Express” ka kontaktuar të martën edhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se ende nuk ka marrë ftesë për takim nga Mustafa.
“Jo s’kam ndonjë ftesë”, ka thënë Haradinaj.