Mustafa, letër kancelares Merkel dhe ministrave të vendeve të BE-së: Korrigjimi i kufijve, rrezik për Ballkanin

30 shtator 2018 | 11:53

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, i ka shkruar letër kancelares gjermane Angela Merkel dhe ministrave të jashtëm të 28 vendeve të Bashkimit Evropian, duke i njoftuar me vlerësimet e LDK-së ndaj situatës aktuale në Kosovë dhe procesit të dialogut me Serbinë.

Mustafa, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka bërë me dije se ka përçuar mesazhin te këto vende se LDK-ja kundërshton korrigjimin e kufijve apo shkëmbimin e territorit përgjatë vijave etnike, se kjo zgjidhje do të ishte me rrezik jo vetëm për Kosovën por edhe për Ballkanin në tërësi. 

Postimi i plotë i tij:

Të nderuar miq,

Si Kryetar I LDK-së, i kam shkruar Kancelares Gjermane Angela Merkel dhe ministrave të jashtëm të 28 vendeve të Bashkimit Evropian. I kam njoftuar për vlerësimet e LDK-së ndaj situatës  aktuale në Kosovë dhe procesit të dialogut me Serbinë. Kam shprehur mirënjohje të veçantë për përkrahjen e vazhdueshme që kemi pasur nga Gjermania dhe vendet tjera të Bashkimit Evropian, duke rikonfirmuar përkushtimin e qartë të LDK-së për dialogun me Serbinë. 

Kam nënvizuar se krahas sqarimit të përmbajtjes së dialogut dhe objektivave, dialogun do të duhej të drejtohet nga  institucione që kanë legjitimitet politik dhe kushtetues, të cilat duhet të dalin nga zgjedhjet e lira, pasi koalicioni i tanishëm përfaqëson pakicën dhe nuk siguron që marrëveshjet të jenë të zbatueshme. 

Kam përçuar mesazhin te këto vende  se LDK kundërshton korrigjimin e kufijve apo shkëmbimin e territorit përgjatë vijave etnike, se kjo zgjidhje do të ishte me rrezik jo vetëm për Kosovën por edhe për Ballkanin në tërësi. Faktin, se Shteti i Kosovës dhe kufijtë e tij janë përcaktuar me Deklaratën e Pavarësisë,  me Kushtetutë si dhe me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, dhe se Kosova në kufijtë aktual është njohur nga shumica e madhe e vendeve anë e mbanë rruzullit tokësor. Se LDK është kundër kthimit mbrapa.

Po ashtu i kam njoftuar se LDK si parti më e madhe opozitare do të ndjek rrugën evropiane dhe euroatlantike si rrugë të perspektivës së qytetarëve tanë; se LDK sa e drejtonte Qeverinë ka punuar me përkushtim në përmbushjen e të gjitha  kritereve për liberalizim të vizave, kurse këtë vit, edhe pse ne opozitë, deputetët e saj e kanë votuar demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, që  procesi i liberalizimit të vizave të ec përpara. 

Shfrytëzova rastin, po ashtu, të kërkoj përkrahjen e vazhdueshme të çdo vendi të BE-së  në këtë proces duke theksuar  bindjen se është e padrejtë që qytetarët tanë të mbesin edhe më tutje të përjashtuar nga regjimi i lirë i vizave.  

Një letër të ngjashme më parë ia kam përcjellë edhe Kryetarit të Partive Popullore Evropiane EPP, z Joseph Daul. IM

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të enjten më 4 tetor 2018, luftëtari i lirisë, Jetullah…