Mustafa: LV-ja ka vendosur për protesta, LDK-ja për opozitë në Kuvend
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, ka thënë se opozita është duke u koordinuar për bashkëpunim.
Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është përcaktuar që të mbajë protesta, kurse partia që drejton, LDK-ja, është përcaktuar për opozitë në Kuvendin e Kosovës.
“Jemi në fazën e diskutimeve. Ne po mundohemi t’i koordinojmë bashkërisht çështjet që kanë të bëjnë me të bërit opozitë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Të bashkëbisedojmë edhe në lidhje me këto ecuri aktuale, sidomos edhe ato që ndërlidhen me çështjen e dialogut me Serbinë dhe aktivitete tjera. Natyrisht se ne nuk i diktojmë njëra-tjetrës si parti politike se çfarë duhet të bëjmë. Lëvizja Vetëvendosje është përcaktuar që të mbajë protesta, ne jemi të përcaktuar që opozitarizmin tonë ta fuqizojmë edhe më tutje në Kuvend por ta zhvillojmë bashkërisht edhe me subjekte tjera opozitare dhe, po ashtu të vendosim vija komunikimi edhe me partitë në pozitë që edhe ata të kundërshtojnë atë çfarë është e dëmshme për Kosovën”, ka thënë Mustafa.