Mustafa: Me AAK-në s’kemi marrëveshje për presidentin
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në emisionin Pressing të T7, ka thënë se kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u propozua për president nga partia e tij, por gjatë bisedimeve në formimin e koalicionit LDK-AAK-Nisma, vet Haradinaj kishte kërkuar të mos diskutohet çështja e presidentit.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se nuk kanë marrëveshje me partnerët e koalicionit për pozitën e presidentit.
Ai deklaroi se as Haradinajt e askujt nuk mund t’i premtojë votat e LDK-së, pasi që siç u shpreh, për këtë pozitë duhet një marrëveshje e gjerë meqë duhen 80 vota.
”Ne nuk kemi pasur asnjë lloj marrëveshje për presidentin me partnerët e koalicionit. Kemi konstatuar bashkërisht që nuk është mirë të japim premtim në këtë kohë për shkak që nuk i kemi votat”.
“Nuk mund t’i premtoj askujt 27 votat e LDK-së për presidentit, pasi që presidenti kërkon edhe votat e subjekteve të tjera që duhet të jenë mbi 80 deputetë që e përkrahin një marrëveshje për presidentin”.
“Nuk shoh asgjë të keqe që AAK-ja e ka ofruar Haradinajn për president. Por nuk mund t’i themi asnjë grupi parlamentar që ta votojnë Haradinajn”, tha ai.
Mustafa ka thënë se pa PDK-në nuk mund ta zgjedhin presidentin.
“Duhet të ulemi krejt dhe të bisedojmë për çështjen e presidentit. Nëse pajtohemi mirë, nëse jo shkojmë më zgjedhje”, tha ai.