Mustafa: Minishengeni, i dëmshëm dhe i panevojshëm
Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka komentuar edhe nismën e vendeve fqinj për formimin e një platforme që po quhet minishengen.
Këtë ide e ka vlerësuar të panevojshme dhe në dëm të Kosovës, pasi që ka thënë se Serbia vazhdon ende të mos i zbatojë marrëveshjet e arritura me Kosovën dhe këtë plaformë do ta përdor si arsye për t’i ikur detyrimeve ndaj shtetit tonë.
“As përfaqësuesit e Shqipërisë, as të Serbisë, e as të Maqedonisë nuk kanë thënë se çka është kjo. Përpos asaj që ne po ulemi dhe po bëjmë mini-shengen sepse lehtëson. Për lehtësime ne jemi marr vesh në Bashkimin Evropian që të kemi zonën ose të kemi hapësirën e përbashkët ekonomike në mes këtyre vendeve. Prandaj unë e konsideroj krejtësisht si iniciativë të pabazë dhe mos të them të paqëllimtë sepse ai që e ka propozuar ka një qëllim, por për një qëllim të panevojshëm dhe të dëmshme, sepse përmes saj në një formë relativizohet krejtësisht detyrimi i Serbisë për implementimin e marrëveshjeve që i kemi pas ne me Serbinë dhe për plotësimin e kushteve për integrim në BE që janë kushte që BE-ja i ka vënë ndaj Serbisë. Dhe ata tani nuk munden përmes një mini-shengeni t’i ikin detyrimeve të tyre ndaj Kosovës”, ka thënë ai për “EkonomiaOnline”.