Mustafa: Mirë që Konjufca e ka kuptuar rëndësinë e letrës, në politikë s`është lehtë të thuhet e vërteta

12 maj 2023 | 17:01

Edhe ish-kryeministri Isa Mustafa ia ka “dhënë” dorën kryeparlamentarit Glauk Konjufca, i cili e ka pranuar rëndësinë e letrës së Federica Mogherini për Asociacionit.

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka vlerësuar se është shumë e rëndësishme që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufa, e ka kuptuar rëndësinë e letrës së Frederica Mogherinit, e cila flet për natyrën e kompetence të Asociacionit.

Ai ka thënë se është e rëndësishme që disa zyrtarë të LV-së tashmë e kanë kuptuar vlerën e kësaj letre dhe rolin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese në procesin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Mustafa ka vlerësuar se në politikë nuk është e lehtë të pranohet e vërteta. Sipas tij, në politikë njerëzit parapëlqejnë më shumë gënjeshtrat dhe mashtrimin.

Mustafa ka treguar se të gjithë zyrtarët e LV-së, përfshirë kryeministrin Kurti, kanë qenë në dijeni për ekzistimin e letrës së ish-shefes së diplomacisë evropiane.

“Është me rëndësi që disa prej tyre e kanë kuptuar. Sidomos z. Konjufca. Në politikë nuk është lehtë të thuhet dhe të pranohet e vërteta. Sepse, njerëzit parapëlqejnë më shumë gënjeshtrat dhe mashtrimin, jetojnë me premtimet dhe jo me realitetin”, ka thënë Mustafa për “Nacionalen”.

Ish-kryeministri ka thënë se LV-së dhe Kurtit në atë kohë nuk iu ka interesuar përmbajtja e letrës.

“Kurti e ka ditë për letrën. Kam folur për te dhe e kam bërë publike. Por, nuk iu ka interesuar fare. Kanë këmbëngulë “Zajednica nuk kalon”. Kanë ofenduar dhe kërcënuar…”, ka thënë Mustafa.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Milani duket se po përgatit ndryshime të shumta në merkaton…