Mustafa: Ndihma prej 100 eurove nuk ia zgjidh problemin askujt
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka komentuar vendimin e kryeministrit aktual, Albin Kurtit, për ndarjen e shtesave prej 100 euro për studentët, pensionistët, punëtorët e sektorit publik dhe atij privat, për muajin prill.
Sipas Mustafës, në situatën në të cilën ndodhemi, ndihma prej 100 eurot nuk ia zgjidh problemin askujt, por vetëm e zbrazin buxhetin për 100 milionë euro.
“Në këtë situatë, kur po rriten çmimet dhe po i bie vlera euros çdo ditë, është vështirë të kritikohet çdo ndihmë që iu jepet qytetarëve. Ndihma të tilla zakonisht aplikohen në situata të jashtëzakonshme. Në këtë situatë 100 euro si ndihmë nuk e zgjidhë problemin e askujt, por e zbrazë buxhetin për 100 milionë euro”, ka thënë Mustafa.
Mustafa ka dhënë edhe mendimin e tij për atë se si do të duhej të vepronte Qeveria në këtë situatë.
“Për mendimin tim, qeveria është dashur që këto mjete t’i orientojë për qytetarët mbi bazën e politikave të qarta sociale: kategoritë më të rënda sociale, pensionistët, familjet me të ardhura të ulëta dhe subvencionime të punësimit për kategori të veçanta në sektorin privat. Përndryshe nevojiten politika aktive sociale, për ta mbështetë sektorin privat dhe punësimin. Ndihmat iu nevojiten qytetarëve,ato zgjidhin një nevojë sot, por jo edhe nevojën e nesërme” ka thënë Isa Mustafa për “Indeksonline”.