Salih Mustafa nuk deklarohet rreth aktakuzës për krime lufte
Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, gjatë paraqitjes së parë para Dhomave të Specializuara në Hagë të hënën, ka zgjedhur që të mos deklarohet rreth akuzave për krime lufte që rëndojnë ndaj tij.
“Nuk do të deklarohem sot, do të konsultohem me avokatin”, ka thënë Mustafa, i cili do të mbesë në paraburgim. Sipas rregullave të Dhomave të Specializuara, Mustafa ka të drejtë që në një periudhë brenda 30 ditësh të deklarohet i pafajshëm apo i fajshëm për akuzat ndaj tij.
Aktakuza e konfirmuar e ngarkon Mustafën për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Krimet për të cilat akuzohet Mustafa, sipas aktakuzës, dyshohet se janë kryer gjatë muajit prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllash që ndodhet në rrethinën e Komunës së Prishtinës.
Gjatë seancës publike është thënë se “ekziston dyshimi i bazuar mirë se z. Mustafa është përgjegjës për kryerjen e këtyre krimeve”.
Avokati i Mustafës, i caktuar nga gjykata, Julius Von Bone, tha se mbrojtja mund të sfidojë legjitimitetin e Dhomave të Specializuara. “Mbrojtja në këtë moment nuk e përjashton mundësinë e dorëzimit të mocioneve të cilat kundërshtojnë juridiksionin apo ligjshmërinë e gjykatës dhe fakti që jemi këtu sot nuk do të thotë që mbrojtja e pranon gjykatën si të tillë, por këtë do ta bëjmë me kalimin e kohës përmes mocioneve tona”, ka pohuar Bone, i cili po ashtu kërkoi që i gjithë dokumentacioni i rastit të klientit të tij të jetë i qasshëm në gjuhën shqipe dhe në letër.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou në fillim të seancës ia lexoi veprat për të cilat akuzohet se Mustafa i ka kryer gjatë vitit 1999, raporton Rel.
Po ashtu, Mustafa u informua nga gjyqtari i procedurës paraprake për të drejtat e tij si dhe iu tha se ka të drejtë të kundërshtojë masën e paraburgimit.
Mustafa u arrestua më 24 shtator në shtëpinë e tij që gjendet në periferi të Prishtinës, pasi i ishte konfirmuar aktakuza për dyshimet për kryerjen e krimeve të luftës, përfshirë këtu veprat penale si: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Arrestimi i Mustafës ishte i pari që nga themelimi i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar që njihen edhe si Gjykata Speciale, në vitin 2015.
Pas konfirmimit të aktakuzës dhe paraqitjes së parë të të akuzuarit, gjykatësi i procedurës paraprake bashkërendon komunikimin ndërmjet palëve deri në momentin kur çështja i kalohet trupit gjykues dhe siguron që të mos ketë vonesa dhe merr të gjitha masat e nevojshme për përgatitjen e shpejtë të çështjes për gjykim.