Mustafa: Nuk do të heqim dorë nga bashkimi me Kosovën
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSh), Ragmi Mustafa, ka thënë se, pavarësisht prej reagimeve të fuqive të mëdha, kërkesa e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkim me shtetin e Kosovës është e realizueshme.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se bashkimi i Luginës me Kosovën në asnjë mënyrë nuk do të ketë efekt domino në vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor.
“Këto deklarime përçojnë vetëm një mesazh se në mes të dy shteteve nuk ka korrigjim të kufirit njëanshëm. Në këtë mënyrë duhet të përkthehet mesazhi i zyrtarëve evropianë dhe amerikanë. Korrigjimi i kufirit në mënyrë të dyanshme do të mbështet nga të gjithë, përfshirë këtu edhe BE-në dhe ShBA-në. Në rastin konkret nëse dy vendet fqinjë arrijnë marrëveshje paqësore nuk mund të kundërshtohet nga askush korrigjimi i kufirit, rrjedhimisht edhe bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën”, është shprehur Mustafa, duke shtuar se shqiptarët e Luginës së Preshevës asnjëherë nuk do të heqin dorë nga bashkimi me Republikën e Kosovës.
“Lugina e Preshevës asnjëherë nuk do të heqë dorë nga kërkesa për të qenë pjesë integrale e Republikës së Kosovës. Proceset politike nuk mbyllen këtu dhe përgjithmonë. Edhe në të ardhmen do të kërkojmë të jemi pjesë integrale e Kosovës, atje ku na flenë zemra dhe trupi. Askush të mos mendojë se shqiptarët e luginës do të bëjnë amin me këtë rast dhe do të heqin dorë nga kërkesa e tyre legjitime për t’u bashkuar me Kosovën”, ka theksuar Mustafa. Ai ka shprehur optimizëm se kërkesa e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën do të bëhet pjesë e takimit të radhës në kuadër të dialogut të Brukselit.
“Epoka e re”: Z. Mustafa, në pjesën e parë të shtatorit është paraparë të mbahet takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi. Prisni që çështja e Luginës së Preshevës të jetë pjesë e këtij takimi?
Mustafa: Kërkesa e shqiptarëve të Luginës së Preshevës daton nga referendumi i 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, ku mbi 97 për qind janë shprehur për autonomi politike territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën. Bazuar në këtë, i gjithë lidershipi i Luginës së Preshevës ka kërkuar nga presidenti i Kosovës që kërkesa e shqiptarëve të Luginës të jetë pjesë e tryezës së ardhshme në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Presidenti Thaçi ka marrë një obligim dhe një barrë jo të lehtë për ta proceduar kërkesën tonë në takimin e radhës në Bruksel.
“Epoka e re”: Jeni optimist se kjo kërkesë do të pranohet nga Serbia si palë negociuese? Në rast se po, përfaqësuesit e Luginës do të jenë të pranishëm në takimet e ardhshme në Bruksel?
Mustafa: Kemi kërkuar nga autoritetet e Republikës së Kosovës, Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria, që të merren seriozisht me zgjidhjen e statusit politik të shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe nuk është e domosdoshme që autoritetet e Luginës të jenë pjesë e takimeve, prandaj do t’u besojmë institucioneve të Kosovës. Shqiptarët e Luginës së Preshevës e konsiderojnë vetën pjesë integrale të territorit të Kosovës edhe pse ende jemi nën okupimin serb. Besoj se çështja e Preshevës do të bëhet pjesë e dialogut Kosovë – Serbi, sidomos në takimin e parë në fillim të shtatorit. Jemi duke pritur fillimisht reagimin e Serbisë, të Bashkimit Evropian si ndërmjetësues i bisedimeve dhe të ShBA-së si garantuese e çfarëdo marrëveshje që arrihet ndërmjet dy vendeve.
“Epoka e re”: Në Kosovë ka pasur reagime se po manipulohet me çështjen e Luginës dhe se nuk do të trajtohet seriozisht kërkesa e shqiptarëve.
Mustafa: Nuk besoj se dikush mund të luajë me Luginën dhe popullin e saj të shumëvuajtur, sepse kjo më së paku do t’i shkojë për shtati presidentit, parlamentit, qeverisë apo partive politike. Këtu nuk ka vend për manipulime sepse asnjë gjë të keqe nuk i bëjnë Kosovës shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Përkundrazi, kemi dhënë kontributin tonë në të gjitha periudhat nëpër të cilat ka kaluar Kosova dhe duke i pasur parasysh këto, autoritetet e Kosovës nuk mund të luajnë me ndjenjat dhe fatin e shqiptarëve duke lënë Luginën e Preshevës jashtë territorit integral të Kosovës.
“Epoka e re”: Do të sillte efekte destabilizuese në rajon bashkimi i Luginës me Kosovën?
Mustafa: Në asnjë mënyrë nuk do të ketë efekt domino në vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovës, sepse kjo do të jetë në kuadër të marrëveshjes së arritur në mes të dy shteteve. Në momentin kur dy vende do të merren vesh për një çështje nuk ka arsye të reflektojë te vendet e tjera. Në këtë drejtim uroj që të arrihet një marrëveshje paqësore dhe pas luftërave të përgjakshme dy vendet të pajtohen.
“Epoka e re”: Ideja për korrigjimin e kufirit me Serbisë si dhe mundësia e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën është kundërshtuar nga vendet e fuqishme që e kanë përkrahur pavarësimin e Kosovës. Sipas ShBA-së, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, nuk mund të ketë ndryshim të kufijve në Ballkanin Perëndimor. Këto reagime kanë zbehur shpresat e shqiptarëve të asaj pjese për realizim të kërkesës së tyre?
Mustafa: Këto deklarime përçojnë vetëm një mesazh se në mes të dy shteteve: nuk ka korrigjim të kufirit njëanshëm. Në këtë mënyrë duhet të përkthehet mesazhi i zyrtarëve evropianë dhe amerikanë. Korrigjimi i kufirit në mënyrë të dyanshme do të mbështet nga të gjithë, përfshirë këtu edhe BE-në dhe ShBA-në. Në rastin konkret nëse dy vendet fqinjë arrijnë marrëveshje paqësore nuk mund të kundërshtohet nga askush korrigjimi i kufirit, rrjedhimisht edhe bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën.
“Epoka e re”: Do të pranohet nga Serbia kërkesa e shqiptarëve që Kosovës t’i bashkohet Lugina e Preshevës, kurse Serbia të mos përfitojë asgjë?
Mustafa: Në këtë fazë Lugina e Preshevës është duke kërkuar bashkimin me Kosovën, pra korrigjimin e kufirit të vendosur padrejtësisht ndaj shqiptarëve. Se cili do të jetë epilogu i këtij procesi do të shihet pas takimit që do të mbahet në muajin tjetër në mes të dy presidentëve. Por deri më tani nuk ka një reagim kundërshtues prej Beogradit zyrtar lidhur me këtë çështje.
“Epoka e re”: Në rrethanat aktuale, e shihni të realizueshme kërkesën e shqiptarëve të luginës për t’iu bashkuar Kosovës?
Mustafa: Absolutisht kërkesa e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën është e realizueshme sepse kufijtë janë vendosur padrejtësisht, pa dëshirën e shqiptarëve dhe po mbahen edhe sot pa dëshirën e tyre. Serbia nuk është e gatshme t’ua ofrojë të drejtat elementare shqiptarëve në Luginë, prandaj duhet të largohet përfundimisht nga Lugina siç u largua dhe hoqi dorë nga Kosova në vitin 1999.
“Epoka e re”: Para se të flitet për korrigjimin e kufirit është përfolur shumë çështja e shkëmbimit të territorit, pra Kosova ta marrë Luginën, kurse Serbia veriun. Do të pranonit që të bëheni pjesë e Kosovës në këmbim të veriut?
Mustafa: Për këtë vendosin autoritetet shtetërore të Kosovës dhe ne nuk do të jemi kurrë element destabilizues në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne do t’i mbështesim marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por gjithmonë me kërkesën që Lugina të mos mbetet jashtë territorit integral të Kosovës.
“Epoka e re”: Z. Mustafa, cili do të jetë reagimi i Luginës së Preshevës nëse kërkesa e shqiptarëve për bashkim me Kosovën nuk do të bëhet pjesë e dialogut dhe, si e tillë, do të mbetet e parealizueshme?
Mustafa: Lugina e Preshevës asnjëherë nuk do të heqë dorë nga kërkesa për të qenë pjesë integrale e Republikës së Kosovës. Proceset politike nuk mbyllen këtu dhe përgjithmonë. Edhe në të ardhmen do të kërkojmë që të jemi pjesë integrale e Kosovës, atje ku na flenë zemra dhe trupi. Askush të mos mendojë se shqiptarët e Luginës do të bëjnë amin me këtë rast dhe do të heqin dorë nga kërkesa e tyre legjitime për t’u bashkuar me Kosovën. Nëse Kosova e Serbia bëhen pjesë e BE-së, ne sërish do ta kërkojmë realizimin e kërkesës tonë për t’u bërë pjesë integrale e Kosovës. Edhe përkundër asaj që në heshtje do të pranojmë çfarëdo marrëveshje që do të arrihet në mes të Kosovës dhe Serbisë, por asnjëherë nuk do të heqim dorë nga kërkesa për bashkim me Kosovën. Ky do të jetë amanet gjeneratë pas gjenerate dhe brez pas brezi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ky ka qenë edhe amanet i të parëve tanë.
Shqipe HETEMI