Mustafa: Nuk ka qasje serioze dhe interesim për problemin jetik të të rinjve
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se është lajm i mirë se Kosova po vazhdon të kryesojë me rritjen ekonomike krahasuar me vendet në regjion.
Por sipas tij, është lajm i keq se në vitin 2018 Kosova ka humbur 17 mijë vende të punës. “Kjo rritje ekonomike, e bazuar në investime publike, nuk po gjeneron vende të reja të punës. Përkundrazi!
Në Kosovë, në dy vitet e fundit, po rritet shkalla e papunësisë dhe po zvogëlohen investimet e huaja direkte”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka shtuar se “derisa institucionet e Kosovës janë të preokupuara me politika populliste, në stilin ‘kush është më i forti’ dhe ‘kush kujt’; kush po ndërton më shumë autostrada afër katundit dhe regjionit të vet e kush po shet më shumë tenderë, nuk ka qasje serioze dhe interesim për problemin jetik të të rinjve. Papunësinë dhe punësimin e tyre”.
Mustafa ka thënë se koalicioni qeverisës as nuk po di as nuk po do.
/Epoka e re/