Mustafa: Nuk matemi me PDK-në dhe partitë tjera, sepse jemi partia më e madhe
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, në tubimin elektoral në Hajvali të Prishtinës, ka thënë se partia që ai drejton dhe kandidatja për kryeministre, Vjosa Osmani, do të fitojnë bindshëm në zgjedhjet e 6 tetorit, sepse LDK-ja është partia më e madhe në vend, si në nivel lokal ashtu edhe në nivel qendror.
“Kosova ka nevojë për një qeveri të mirë, sepse nuk mund të qeveriset nga ata që kanë abuzuar me pushtetin dhe vullnetin e qytetarëve. Ju i keni parë se si i ka rrokë frika të gjithë, e ka rrokë frika Partinë Demokratike, i ka rrokë frika edhe partitë e tjera. Ne nuk po bëjmë garë me ta, sepse nuk ja vlen. Ata janë shumë më të vegjël dhe nuk kanë përkrahje qytetare sa Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha Mustafa.
Ai pohoi se LDK-ja është partia më e mirë, është partia që sublimon dhe përfaqëson të gjitha gjeneratat, është parti e fortë, e para me të gjitha, e para ishim me deputetë në Kuvendin e kaluar, e para jemi me numrin e komunave që drejtojmë sot në Kosovë, e para jemi në të gjitha matjet e opinionit publik, e para jemi me përkrahjen e fuqishme që po i jepet partisë dhe kandidates tonë Vjosa Osmani.
“Jam i bindur se do t’i japim vlerë të re qeverisjes në Kosovë. Do të kemi qeverisjen dhe qeverinë e re, e cila do të jetë rezultat i vullnetit të ri të qytetarëve më 6 tetor”, shtoi kreu i LDK-së.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që ta përkrahin Programin e LDK-së, për qeverisje me duar të pastra, pa krim e korrupsion, në partneritet të plotë me miqtë amerikanë dhe evropianë.
Kreu i LDK-së tha se një program të tillë mund ta zbatojnë vetëm kandidatët për deputetë dhe kandidatja për kryeministre, Vjosa Osmani.
“Festofshim bashkërisht fitoren tonë më 6 tetor”, tha në fund kryetari i LDK-së.