Mustafa: Nuk më ka ardhur asnjë ftesë që të jem pjesë e shënimit të 20-vjetorit të çlirimit
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se nuk ka marrë asnjë ftesë për të marrë pjesë në shënimin e njëzetvjetorit të çlirimit të vendit.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se në selinë e LDK-së e kanë informuar se kanë ardhur ftesa për disa familje të dëshmorëve dhe veprimtarëve të LDK-së, por jo edhe për të.
Postimi i plotë i Mustafës:
Te nderuar qytetarë
Po shoh se është bërë temë mospjesëmarrja ime në ceremoninë e shënimit të njëzetvjetorit të çlirimit të vendit.
Nuk kam marrë pjesë, sepse nuk më ka ardhur ftesë për këtë ceremoni dhe për asnjë aktivitet tjetër.
Nuk mund ta di se si ka vepruar Protokolli i Shtetit, a më ka pasur në listë apo jo, si kryetar të LDK-së, shef të opozitës, partisë më të madhe opozitare sot dhe partisë shtetëformuese gjatë tridhjetë viteve sa ekziston ajo, apo si Kryeministër i qeverisë së kaluar.
Në Selinë e LDK-së, më kanë informuar se kanë ardhur ftesa për disa familje të dëshmorëve dhe veprimtarëve të LDK-së. Tjetër jo.
Nuk ka datë më të rëndësishme për çdonjërin nga ne se ajo e çlirimit të Kosovës. Prandaj pjesëmarrja ime ose e njërit nga nënkryetarët e LDK-së, për arsye të shkaqeve të mia shëndtësore, do të ishte e padiskutueshme. Çlirimi sikurse edhe pavarësia nuk janë pronë e askujt, janë e arritur, mburrje dhe pasuri e çdonjërit nga ne.
Fundja, edhe pse nuk kisha ftesë të marr pjesë në këtë ceremoni, ndjehem krenar se ajo u mbajtë në Sheshin Skënderbeu të qytetit tim, të cilin aq me përkushtim e ndërtuam sa unë dhe LDK drejtonim Prishtinën, dhe pran monumentit të Skënderbeut që, poashtu, e ngritëm pas çlirimit me para të mbledhura nga bashkatdhetarët tanë, kur ishim si qeveri në egzil e LDK-së. Dhe, se në këtë solemnitet ishin miqtë tanë, heronjë të çlirimit të Kosovës. IM